Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Kjo vizitë e kryeministrit malazez vie pas ftesës që i bëri vetë kryeministri Haradinaj, në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015.
Ditë më parë të dyja qeveritë edhe ajo e Kosovës edhe ajo e Malit të Zi deklaruan se vizita e kryeministrit Markoviq pritet të jetë vizitë e rregullt, mirëpo duke mos anashkaluar edhe çështjen e Demarkacionit.
Të njëjtit shprehen se kjo vizitë nuk mund të shërbej për ndonjë zgjidhje të re sa i përket Demarkacionit.
Analisti Imer Mushkolaj ka theksuar se vizita e nesërme e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq në Kosovë, do të duhej që të shërbente si një takim i vullnetit të mirë në shtyrjen përpara të zgjidhjes së problemit të demarkacionit.
Ai ka thënë për Telegrafin se zgjidhja që po përflitet ditëve të fundit për Demarkacionin – që marrëveshja të pranohet më kushtin që gjetjet e mëvonshme të përmirësohen – do të mund të përfundonte edhe më herët, kur dihet sipas tij, se fqinjin perëndimor e kanë vizituar zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj.
“Zgjidhja që po përflitet është në kuadër të marrëveshjes të lihet hapur mundësia që të përmirësohen, por jo të rinegociohet. Nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes, por miratim të versionit aktual dhe përmirësim eventual të lëshimeve që janë bërë gjatë procesit”, ka shtuar Mushkolaj
Sipas tij, problemi më i madh do të jetë arsyetimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nëse ratifikohet kjo marrëveshje, sepse për tri vite radhazi qytetarët e Kosovës janë bllokuar.
Në anën tjetër, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti ka thënë se kjo vizitë sa i përket Demarkacionit vetëm sa do ta konfirmojë qëndrimin e Malit të Zi rreth kësaj çështje.