Ndeshja e xhiros së 23-të mes Deçiqit dhe Buduqnostit, me rezultat 0:1 (autogol i Rudoviqit në minutën e 3-të), është ndërprerë në minutën e 18-të dhe delegati i ndeshjes Miodrag Gardasheviq ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja nuk do të vazhdojë për shakaqe të sigurisë.
Gjithçka filloi në minutën e 18-të, kur tifozët e mysafirë, të pakënaqur me një vendim të arbitrit, filluan të hedhin flakadanë dhe karrige në fushë, pastaj kanë sulmur edhe tifozët vendas, të cilët ishin të vendosur në të njëjtën tribunë. Filloi shkëmbimi i karrigeve, madje “Varvari” vazhduan të hedhin flakadanë.
Policia arriti të zbrazte tribunën, por konflikti u përhap edhe jashtë tribunës. Tifozët e dy skuadrave kanë vijuar konfliktin në zonën përreth stadiumit, ka pasur një shkëmbim gurësh dhe më pas tifozër e Buduqnostit kanë qëlluar me gurë edhe publikun në tribunën kryesore.
Në momentin që policia po tentonte të vendoste rendin, edhe në fushë ka pasur incidente të lehta, pasi përfaqësuesit e dy skuadrave janë përplasur, ka pasur shtyrje dhe tentativa për t’u përballur fizikisht. Por, njeriu i parë i Deçiqit, Pal Dreshaj ka kontribuar për qetësimin e situatës, ndonëse ka pasur shumë nervozizëm.
Se çfarë epilogu do të pasojë, nëse do të luhet ndeshja e re, por pa praninë e shikuesve, se cilat do të jenë dënimet, do të përcaktohen nga organet e Federatës së Futbollit të Malit të Zi…
Malësia.ME