Partia demokratike e socialistëve ka shprehur pakënaqësinë që akoma nuk janë emëruar kuadrot për vendet në pushtetin ekzekutiv në Ulqin.
Për këtë arsye sonte, me kërkesë të drejtuesve të partisë në Ulqin dhe shefit të Parlamentit komunal Loro Nrekiq, do të mbahet takimi i liderëve të koalicionit qeverisës.
Edhe në Unionin demokratik të Shqiptarëve të Mehmed Zenkës vlerësojnë që procesi i konstituimit të pushtetit dhe emërimi i drejtorëve të rinj të ndërmarrjeve publike duhet të ec më shpejtë meqenëse në mbledhjen e Kuvendit komunal të mërkurën janë zgjedh anëtarët e këshillave drejtues dhe po afrohet sezoni turistik.
Pritet që këto ditë më në fund të dihen edhe emrat e anëtarëve të Forcës për funksionet që i takuan kësaj parti. Beteja e ashpër brendapartiake po bëhet rreth vendit të nënkryetarit të Komunës dhe drejtorit të Organizatës turistike.
Në Partinë demokratike të Fatmir Gjekës akoma presin për cilin funksion do të përcaktohen partnerët e tyre nga Lëvizja qytetare “Perspektiva” e Amir Hollajt (nënkryetarin e Komunës, drejtorin e Qendrës për kulturë apo atë të RTV “Ulqinit”), në mënyrë që të propozojnë kuadrot e veta për karriget e boshatisura./ulinfo/