Mali i Zi anëtar i plotfuqishëm i NATO-s

Mali i Zi është zyrtarisht anëtari i 29-të i NATO-s. Në një ceremoni të zhvilluar në Uashington, në prani të nënsekretarit amerikan të Shtetit Thomas Shannon dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq zyrtarisht e ka dorëzuar të ashtuquajturin instrument të pranimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Anëtarësimi në NATO do të thotë stabilitet të vazhdueshëm për ne, me vlerat demokratike evro-atlantike të ngulitura në shoqëri dhe ekonomi, që kanë për qëllim prosperitetin e mëtejshëm”, tha Markoviq.

Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s tha: “Ne jemi aleancë demokracie. Jemi bashkuar për një qëllim të caktuar. Për të qëndruar sëbashku, për tu mbrojtur sëbashku dhe për të jetuar sëbashku. Anëtarësimi i Malit të Zi është mirë për këtë shtet, është mirë për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëdimor dhe për gjithë botën”.

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Thomas Shannon, i cili ishte i pranishëm në ceremoni, tha se Mali i Zi kishte shpallur “të drejtën për të zgjedhur hapur aleancat e veta, edhe në kushtet e ballafaqimit me presion të jashtëm të orkestruar”.

Flamuri i Malit të Zi pasnesër do të valojë në selinë e NATO-s në Bruksel për të parën herë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!