Promovohet filmi dokumentar “Besnik Jezusit dhe Kombit” i autorit Gjokë Dukaj

Në QKI “Malësia” në Tuz mbrëmë u mbajt aktivitet përkujtimorë, kushtuar patër Andrea Gjekaj.

Në fillim të këtij aktiviteti, shikuesit e shumtë, në mesin e të cilëve argjipeshkvi i Tivarit mons. Rrok Gjonlleshaj, provinciali i Kishës Françeskane në Shqipëri dhe Mal të Zi p. Aurel Gjerkaj si dhe klerikë tier të shumtë, në sallën e QKI ndoqën filmin dokumentar “Besnik Jezusit dhe Kombit” të autorit Gjokë Dukaj.

Ky material u ndoq me interesim të madh nga të pranishmit pasi përmbajtja e tij ofron të dhëna, deri më tani të panjohura lidhur me jetën dhe veprën e patër Andrea Gjekaj-Gjurashaj, si meshtari i parë nga kjo pjesë e Malësisë së Madhe. Më pas lidhur këtë figurë të devotshme fetare dhe kombëtare si dhe për filmin dokumentarë folën, patër Mirash Marinaj, Gjon Ivezaj dhe vetë autori. Të gjithë ata veçuan këtë figurë të shquar nga e kaluara jonë dhe përkushtimin e tij misionit meshtarak dhe vlerave të trashëguara kombëtare. Edhe pse jetë shkurtër, pasi ai u vra në vitin 1912 kur ishte 38 vjeçar, në kronikat e kohës është shënuar si meshtarë i devotshëm dhe i përkushtuar ruajtjes së vlerave kombëtare, e që e dëshmon edhe vrasja e tij në vijën e luftës kundër pushtuesve shekullorë ku kishte shkuar në përkrahje të besimtarëve të famullisë së vetë dhe për të kryer ritet fetare për dëshmorët e rënë.

Në këtë aktivitet të pranishmit i përshëndetën po ashtu edhe patër Prela Gjurashaj, si pjesëtar i kësaj vëllazërie, pastaj Gjon Junçaj nga SHBA si dhe në emër të familjes së Dedë Malë Vuksanit, Nikollë Gjurashaj. Të rikujtojmë se patër Luli Gjurashaj, me emrin kishtar patër Andrea, ishte bir i familjes së njohur nga shtëpia e Mal Vuksanit Gjurashaj nga fshati Nikëmarash në Triesh, kurse aktiviteti përkujtimorë me rastin e 105 vjetorit të vrasjes së tij vazhdon me meshën e shenjtë në Kishën e “Zojës Rruzare” në Triesh.

Shperndaje