Në burgun e Prizrenit vdes Astrit Dehari i Vetëvendosjes

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ka ndërruar jetë të shtunën pasdite në rrethana ende të pasqaruara nga autoritetet.

Lajmin për Koha.net e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të premten në orët e paradites, patën zhvilluar një aksion simbolik pranë Qendrës së paraburgimit në Prizren, me ç’rast patën kërkuar lirimin e kolegut të tyre, Astrit Dehari. Ata patën pohuar se Dehari tash e 67 ditë po mbahet padrejtësisht në paraburgim, përderisa zyrtarë të klanit “Pronto” mbeten në liri përkundër shkeljeve të shumta të ligjit.

Astrit Dehari po hetohej lidhur me dyshimin se bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Më 11 qershor të vitit 2014, kishte ndërruar jetë edhe vëllai tjetër Arbënor Dehari.

Arbënor Dehari kishte humbur jetën tragjikisht duke rënë nga kati i gjashtë i banesës ku jetonte. Ai ishte aktivist i Vetëvendosjes që nga formimi i saj, si anëtar i Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!