Programi zgjedhor i ASH-së besim për votuesit

Shkruan, Kristjan Gj. Dukaj
Politikolog

Në periudhën e fushatave zgjedhore, është e rëndomtë paraqitja sa më e shpeshtë publike e bartësve të aktiviteteve partiake në funksion të artikulimit të interesave të subjektit përkatës, por gjithherë me të njëjtin qëllim: përfitimi i përkrahjes sa më të gjerë të elektoratit për të siguruar ndonjë ulëse më shumë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit. Mirëpo, ajo që pritet me padurim nga vetë elektorati është paraqitja publike e përbërjes së Listave zgjedhore me kandidatët përkatës të cilët do të përçojnë zërin e votuesve në Kuvend.

Në nivelin vendor, kjo çështje është më e ndjeshme, pasi kandidatët janë banorë vendas e që do të thotë se janë të njohur për elektoratin. Ky fakt e obligon edhe vetë subjektin, pjesëmarrës në zgjedhje, të jetë më i kujdesshëm në propozimin dhe përbërjen e listave zgjedhore me kandidatët për këshilltarë të cilët duhet të gëzojnë besimin e opinionit të gjerë për aftësitë e, mbi të gjitha, përkushtimin e vet për të kontribuar të mirës së përgjithshme.

Parakusht për arritjen e pikësynimeve të tilla është hartimi i programeve zgjedhore pa të cilat nuk mund të dilet para elektoratit. Por, kjo nënkupton njohjen e problematikave të caktuara për ata që duan të jenë bartës të aktiviteteve partiake-politike, në realizimin e pikave të parapara programore. Parlamenti është vendi ku debatohen plan-programet zhvillimore dhe miratohen dokumentet përkatëse në interes të qytetarëve. Nëse, aty mungon aktiviteti i këshilltarëve përfaqësues të subjektit të caktuar politik, as që mund të pritet realizimi i programit zgjedhor që, në kushtet normale, paraqet kontratën mes përfaqësuesve politik dhe votuesve.

Andaj, përbërja e listave zgjedhore me kandidatët partiak duhet bazuar në meritokracinë, si parimin themelor për një përbërje sa më cilësore të listës përkatëse. Parimet e këtilla, jo vetëm se do të avancojnë përmirësimin e gjendjes ekzistuese por, njëkohësisht, afirmon subjektin politik si bartës të parimeve të tilla. Tashmë, kur janë publikuar listat zgjedhore me kandidatët për këshilltarë në zgjedhjet e ardhshme lokale për Kuvendin vendor, më 26 nëntor, votuesit kanë mundësinë të zgjedhin kandidatët e preferuar, të dëshmuar dhe sa më të kualifikuar në realizimin e interesave të përgjithshme.

Publikimi i programit zhvillimor për periudhën e ardhshme nga Alternativa Shqiptare (ASH), është hap i nevojshëm në drejtim të duhur. Mirëpo kjo, vetvetiu, nënkupton që struktura përkatëse politike të jetë e përgatitur me kuadro të profileve të ndryshme në realizimin e pikësynimeve programore e që ASH, në vazhdimësi, tenton t’i sigurojë.

Kjo, ka rezultuar pikërisht me hartimin e një programi të detajuar zgjedhor të cilin ASH ia ofron votuesit. Duke marr parasysh se paraqitjet e dokumenteve të tilla nuk janë tepër të shpeshta nga strukturat politike ekzistuese, promovimi i vizioneve të këtilla politike duhet vlerësuar seriozisht nga elektorati në zgjedhjet e ardhshme lokale, më 26 nëntor. Aq më parë, pasi vota e dhënë në mbështetje të këtij programit zgjedhor e obligon bartësin e tij në angazhim maksimal në realizimin e këtij projekti zhvillimor në trevën e Malësisë.

Shperndaje