Shqipëria dhe Mali Zi po e shtrijnë bashkëpunimin ndërkufitar edhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit të përbashkët natyror.
Rreth 30 shoqata joqeveritare u bashkuan në Shkodër në përpjekje për të bashkërenduar veprimtaritë për mbrojtjen e zonave të përbashkëta natyrore si Bjeshkët e Namuna, Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna, si dhe vija bregdetare Velipojë-Ulqin, zona këto që, sipas tyre, kërkojnë vëmendje më të madhe si nga komunitetet lokale, ashtu edhe qeveritë e dy vendeve, pasi po rrezikojnë të dëmtohen.