Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” pas gati 70 vjetësh histori ka nisur që të numërojë orët e fundit, pasi kanë filluar punimet për ndërtimin mbi rrënojat e tij të impiantit modern ‘Arena Kombëtare’ me një kapacitet 22 mijë vende, vlera e të cilit nga llogaritjet paraprake shkon mbi 50 milionë Euro. FSHF ashtu sikur kishte premtuar në janar të 2016 kanë nisur punimet me studimet e para për projektin e impiantit.
Gjeologët kanë nisur punën për studimin e terrenit dhe hartimin e projektit gjeologo-inxhinierik, teksa sondat do të bëjnë 6 shpime deri në 50 metra thellësi të nevojshme për të përcaktuar natyrën e terrenit dhe kushtet fizike të tij. Të gjitha bizneseve përreth stadiumit iu është bërë e ditur se do t’ju duhet të lirojnë ambientet me nisjen e punimeve.
Njëri nga specialistët e firmës ‘Geoen Solution’ sqaron për Shqiptarja.com se ‘Jemi kontraktuar nga firma italiane ‘Zai Lab-Zai Lab’ për realizimin e projektit gjeologo-inxhinerik që sapo ka nisur është vetëm hapi i parë i një procesi të gjatë me disa faza. Shpimet dhe faza e parë pritet që të shkojë afro 45 ditë.
Por në këtë periudhë fusha nuk do të dëmtohet. Pas fazës së parë pritet të nisë shembja e tribunave. Pritet që ndërtimi të nisë në qershorin e verës së ardhshme, pas realizimit të projektit, pasi firma e re kërkoi që gjithçka të nisë nga fillimi”shprehet ai. Për realizimin e projektit i rëndësishëm mbetet garantimi i financave nga qeveria shqiptare dhe FSHF.
Federata Shqiptare e Futbollit ka ndryshuar mendje në lidhje me projektin e konsorciumit italian “Serenissima” për stadiumin. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF dhe njëkohësisht përgjegjës për ecurinë e ndërtimit të stadiumeve, Arben Dervishaj konfirmon për Shqiptarja.com se “Projekti i stadiumit ‘Arena Kombëtare’ nuk do të jetë më i pari, pasi do të pësojë disa ndryshime nga firma italiane.
Mund të konfirmoj se kapaciteti do të jetë i njëjtë, por tribunat dhe pamja do të pësojnë ndryshime. Prandaj kanë nisur studimet për terrenin nga fillimi. Pas studimeve presim realizimin e projektit dhe më pas shembjen e stadiumit aktual për të ndërtuar arenën e re kombëtare në Tiranë”shprehet ai.