Osmani: Trashëgimia kulturore shqiptare nën mëshirën e kohës!

Që në fillim duhet theksuar se trashëgimia kulturore është trashëgimi fizike e artefakteve dhe objekteve (atributeve) të një grupi ose të shoqërisë të cilat janë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara, tek gjeneratat e tashme me qëllim të kujdesit për të mirën e brezave të ardhshëm. Trashëgimia kulturore përfshin pronën kulturore e njohur edhe si kultura materiale (të tillë si ndërtesat, monumentet, peizazhet, librat, veprat e artit dhe objektet e ndryshme), kulturën shpirtërore, (të tilla si folklori, traditat, gjuha dhe njohurit tradicionale), si dhe trashëgiminë natyrore.

Doket e zakonet përbëjnë një nga karakteristikat e rëndësishme etnike të çdo bashkësie shoqërore, sipas të cilave është zhvilluar jeta e popullit në të kaluarën. Ato janë norma të krijuara nga përvoja, ligje të pashkruara të popullit, në bazë të të cilave drejtohej e qeverisej një shoqëri e caktuar. Doket e zakonet e popullit tonë, të krijuara në rrjedhën e gjatë të shekujve që nga lashtësia e e gjer vonë, janë pjesë përbërëse e kulturës popullore shqiptare. Ato janë krijuar në truallin ku banojnë shqiptarët prej shekujsh dhe kanë një nënshtrat të përbashkët.

Është obligim i çdo brezi që t’ua lë trashëgim pasardhësve vlerat shpirtërore e materiale të krijuara prej stërgjysheve të tyre. Mjerisht, edhe përkundër të dhënës se kemi trashiguar thesare të paçmuara, ne s’po ia dalim të bartim as minimumin e tyre tek fëmijët tanë, sepse, për ironi të fatit, ato u faturohen gati me ekskluzivitet të plotë të tjerëve. Në dallim nga e shkuara, aktualisht kjo ndodh për shkak të paaftësisë sonë të qëllimshme për të bërë më shumë në planin e daljes zot të vlerave kulturore.

Edhe atë pak punë që është bërë ua kemi borxh entuziastëve, të cilët në mënyrë joinstitucionale dhe pa asnjë ndihmë materiale, të domosdoshme për gjurmimin, evidentimin dhe katalogjizimin e vlerave trashëgimore, kanë ngritur muze privatë në pronat dhe me paratë e tyre, duke u përpjekur që kësisoj të kompensojnë atë që realisht nuk mund të kompesohet, sepse nuk ka trashëgimi të mirëfilltë kulturore pa gërmime arkeologjike, pa “zhvarrosjen” e vendbanimeve antike, pa arkitekturën e kohërave që s’jan më, që si veprimtari tejkalojnë shumëfish kapacitetet profesionale, mundësitë dhe entuziazmin e individëve, sado të përkushtuar qofshin ata.

Nëse deri dje kemi mundur të arsyetojmë mungesën e angazhimit në këtë plan, nëse kemi mundur të tolerojmë vjedhjen e copërave të kushtueshme të shpirtit, sot nuk mund ta bëjmë këtë, sepse i kemi dy universitete, kemi institutin që ka nisur të kujdeset për trashëgiminë tonë kulturore dhe që duhet të ndalë avazin e gjertanishëm që na ka varfëruar ndoshta pariparueshëm nga vlerat që na takojnë, duke na e pamundësuar imazhin e qartë rreth disa periudhave të rëndësishme të së shkuarës. Pra, kjo është realiteti të cilin duhet pranuar pa justifikime, me gatishmërinë që gabimet e djeshme t’i shndërrojmë në pikën ku do të zë fill kuptimi për vlerat kapitale të etnisë dhe veprimi ynë ndryshe ndaj tyre.

Shqiptarët kanë trashëguar ndër shekuj shumë vlera, që sot janë pjesë e kulturës botërore. Trojet tona janë përplot rrënoja qytetesh antike; kala të banueshme mesjetare; tempuj paganë; kisha e manastire, xhami, teqe dhe objekte të tjera sakrale me vlera të pallogaritshme; qytete me moshë mijëravjeçare…Shqiptarët kanë një Kanun-një kushtetutë të lashtë me të cilën e rregullonin jetën e tyre, në një kohë kur të tjerët hanin lirshëm kokat e njeri-tjetrit; të shqiptarët janë, të paktën 2 prej shtatë kodikëve të purport të kohës së Krishtit; në trojet tona janë ndoshta sixhilatet më të pasura të kohës osmane në Ballkan; e jona është muzika e papërsëritshme polifonike, bashkë  me eposin e lashtë të kreshnikëve; i yni është institucioni i besës, nëpërmjet të cilës na ka njohur bota; e jona është Gjuha e lashtë dhe e veçantë shqipe; veshjet kombëtare të një bukurie të rrallë, për të cilat kanë shkruar personalitete të shquara të jetës kulturore evropiane; e jona është dhe letërsia unikate të cilës nuk i mungon pothuajse asnjë hallkë e rëndësishme, që nga koha kur ajo ishte e helenizuar dhe e latinizuar…

Natyrisht, pjesë të kësaj prone gjenden edhe në viset shqiptare të Malit të Zi, po, siç thamë më lartë, ne nuk arritëm t’u dalim zot për shkak të thundrës së tjetrit, po dhe mungesës së guximit qytetar dhe intelektual. Për pasojë, pothuajse gjithë artefaktet tona u faturohen sot të tjerëve: tempuj fetarë të të parëve tanë-kishat katolike dhe ortodokse ua kemi falur sllavëve; shumë xhami të vjetra, teqe, ura, hamame, sahatkulla, kala dhe shtëpi monumentale të kohës së sundimit osman…,ua faturojmë turqëve, pa çarë kokën se ato janë ndërtuar nga duart e shkathta të mjeshtërve shqiptar dhe u kanë takuar po shqiptarëve të atyre kohërave; ua kemi falur fqinjëve traditat, zakonet, adetet tona të bukura e të rralla; me heshtjen tonë kronike ua falim të tjerëve edhe kuotat më të larta të etnisë…, duke harruar se një etni vlen aq sa i ka dhënë botës personalitete të jetës shoqërore e kulturore që me famën e tyre e kanë kaluar kufirin. Në kësi rrethanash, në vend të vajit, duhet të sfidojmë mendësinë vetëshkatërruese, të imponuar prej tjetrit dhe prej lakmisë së mercenarëve kulturor, misioni i të cilëve është zhveshja jonë në këste.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!