U botua numri 21 i revistës për shkencë, kulturë dhe art “Lemba”

Para disa ditësh doli nga shtypi numri 21 i revistës për shkencë, kulturë dhe art “Lemba”. Ky numër është i pasur, me materiale nga fusha të ndryshme të dijes.

Në editorialin që i prinë revistës, kryeredaktorja Sabina Osmanoviq shkruan se “Në këtë numër jemi përpjekur të paraqesim disa nga sfidat dhe problematikat e shoqërisë sonë, duke pasur në mendje se mbulimi i të gjitha fushave do të ishte një ndërmarrje e guxuar. Sidoqoftë, theksi i këtij numri bie mbi situatën dhe rolin e shqiptarëve në ‘post-pavarësinë’ e Malit të Zi. Gama e shkrimeve shtrihet nga studimet mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe në Malin e Zi, duke kaluar te vështrimet mbi çështjet sociale dhe ngjarjet e shënuara kulturore. Hapësirë e veçantë është rezervuar për këndin letrar, ku autorët shqiptarë në Malin e Zi si edhe më gjerë kanë mundësi të botojnë krijimet e tyre letrare më të fundit”.

Në rubrikën “Studime”, autori Gjokë Dabaj shkruan për “Tivarasit në Venedik”, kurse Nexhat Avdiu për “Aspekte të bashkëpunimit ndërkufitar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe roli i tyre në nxitjen e zhvillimit të turizmit”. Në rubrikën “Kontribute nga diaspora” është botuar artikulli i Hajrudin Mujës “’Shqiptarizimi’ i shqiptarëve”, kurse në rubrikën “Intervistë” – intervista me Akademikun Mehmet Kraja, shkrimtar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në rubrikën “Opinione”, Gjylie Rexha sjell artikullin “Anashkalimi mediatik i shqiptarëve të Malit të Zi”, Nikë Gashaj “Pavarësia e Malit të Zi dhe shqiptarët”, kurse Nail Draga “Çështje të identitetit kombëtar në arsimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi”.

Në kuadër të letërsisë, në fokus është shkrimtari Ridvan Dibra, i cili prezantohet me pesë proza të shkurtra dhe një vështrim të Sabina Osmanoviqit mbi romanin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”.

Rubrika “Poezi” na njeh me krijimtarinë e poetëve Ibrahim Berjashi, Flutur Mustafa – Pllana, Hajredin Kovaçi, Kaltrina Hoti dhe Argëzon Sulejmani. “Këndi i poetëve të rinj” është rezervuar për poeten e re, Vediha Gjoni.

Në rubrikën “Përvjetor” është botuar artikulli i Anton Gojçajt “Tipologjia e subjektit lirik dhe modeli i lexuesit në poezinë e Basri Çapriqit”, i lexuar në sesionin shkencor me rastin e 60-vjetorit të lindjes dhe dyvjetorit të vdekjes së Basri Çapriqit.

Rubrika “In Memoriam” sjell shkrimet e Emil Lafes me rastin e vdekjes së Prof. Dr. Simë Gjon Dobrecit “Një pasuri intelektuale e morale në rrafshin mbarëkombëtar” dhe të Ismet Kallabës “Moikom Zeqo dhe dashuria e veçantë për Ulqinin”.

Numri mbyllet me paraqitjen e botimeve të reja të “Art Club”-it.

Revista për shkencë, kulturë dhe art “Lemba” botohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Numri i parë është botuar më 1998. Botimin e këtij numri e mbështeti Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

SHAI “Art Club”

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!