Të nderuar lexues, adhurues të veprës së Palokë Berishës, dashamirë të arsimit shqip,
është e pamundur të flasësh ose të shkruash për arsimin shqip në Mal të Zi, pa përmendur e cituar studiuesin e palodhur, prof.dr. Palokë Berishën.
Pothuajse e gjithë veprimtaria e tij mbi pesë dekada i është dedikuar çdo faze të arsimit në këto treva. Me botimin e veprës së radhës, e që për herë të parë paraqitet sot para lexuesve, dedikuar 10-vjetorit të hapjes së programit studimor për arsimimin e mësuesve në gjuhën shqipe me seli në Podgoricë, prof.Berisha ka përfshirë çdo cikël të shkollimit të shqiptarëve, duke filluar nga kopshtet deri tek studimet e mësuesisë.
Vepra në fjalë është hartuar me shumë përkushtim dhe dashamirësi; e bazuar në literaturë gjegjëse dhe e gërshetuar me pyetësorët e bërë në teren. Ajo është e ndarë në shtatë kapituj, e renditur në mënyrë kronologjike, ku në kapitullin e parë përfshihen të dhëna për institucionet edukativo arsimore-parauniversitare në Mal të Zi, jo vetëm me mësim në gjuhën shqipe, por edhe ato në gjuhët serbo-malazeze. Në bazë të kësaj këtu shohim dallime të dukshme sa i përket arsimit dhe fillimeve të tij shqip në krahasim me popullatën shumicë.
Fjala vjen, shqiptarët, kopshtin e parë në gjuhën shqipe e kishin vetëm në vitin 1960 në Ulqin, kurse popullata shumicë pothuajse 60 vite më parë, këto rrethana kanë bërë që nxënësit shqiptarë ndjekin edhe mësimin parashkollor në gjuhën joamtare. Gjithashtu edhe shkollimi fillor dhe ai i mesëm, sipas fakteve të paraqitura në këtë punim për shqiptarët, ishte i vonuar në krahasim me popujt e tjerë, ai ka filluar dekada më vonë, e mos të flasim për shkollimin e lartë.
Po këtu hasim fakte për shkollimin e mësuesve shqiptarë në periudha të caktuara, si dhe vështirësitë e shumta me të cilat janë ballafaquar.
Në kapitullin e dytë, gjejmë të dhëna interesante për historikun e Universitetit të Malit të Zi, duke filluar nga themelimi në vitin 1974, deri te zgjerimi në degët ekzistuese, si dhe ndryshimet e sistemit të lartë në Mal të Zi nga Deklarata e Bolonjës.
Është kapitulli i tretë ku prof. Berisha nis studimin mbi programin studimor për edukimin e mësuesve në gjuhën shqipe me seli në Podgoricë.
Gjithnjë, duke u bazuar në argumente, përshkruan në mënyrë të detajuar nismën për themelimin, nga aktivitetet e “Ilirikum-it”, si iniciator dhe bartës i projektit, deri tek USA-idi dhe subjektet nacionale si mbështetëse të projektit në fjalë.
Po kështu nuk lë pa përmendur edhe faktin që studimet në fjalë ishin planifikuar një vit më parë të fillojnë në Nikshiq, por për arsye të njohura nuk u realizuan atje. Edhe pse kërkesa e iniciatorëve ishte që ato të jenë në Tuz, ato filluan punën në Podgoricë, ku gjenden edhe sot. Në mënyrë të detajuar, prof.Berisha përshkruan themelimin e degës, nga komisione tëndryshme, deri tek bashkëpunimi me Universitetin ”Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Studentët e kësaj dege janë pjesë e këtij kapitulli, ku prof.Berisha u jep një hapësirë të mjaftueshme. Sipas tij, në vitin e parë regjistrohen 49 studentë. Ai nuk anashkalon procedurat për t’u regjistruar, të drejtat dhe detyrimet, vlerësimet, si dhe numrin e studentëve të diplomuar, të cilët, sipas tij, deri në vitin 2014, ishin 54.
Me plot meritë një kapitull të veçantëprof. Berisha ua kushton stafit akademik. Sipas tij, me rritjen e numrit të studentëve, nga viti në vit angazhohet edhe një numër i caktuar kuadrosh ku në vitin 2014, kemi 25 mësimdhënës në gjuhës shqipe, nga ata 18 profesorë dhe 7 asistentë, kurse në gjuhën malazeze, 9 profesorë dhe 3 asistentë. Prof. Berisha, pa hezituar nxjerr në dritë angazhimin dhe punën që bëri dhe bën stafi akademik për përgatitjen e mësuesve.
Planet dhe programet janë pjesë e kapitullit të pestë. Ai po këtu definon dhe sqaron në detaje plan-programet si koncepte. Ai ndalet veçanërisht tek planet dhe programet që përdor ky program studimor, apo aplikon, që sipas tij ato merren nga fakulteti i mësuesisë në Nikshiq, me plotësime të caktuara për gjuhën shqipe. Ai ndër të tjera shton se nuk është intervenuar në ndryshimin e planeve dhe programeve, poashtu nuk është organizuar pothuajse asnjë takim i stafit akademik të degës për të diskutuar në këtë mënyrë për intervenime të ndryshme me qëllim që të përmirësohet ndonjë çështje e rëndësishme, sikurse janë planet e programet. Ai sugjeron që të bëhen ndryshime të caktuara në to. Theks të veçantë vë tek fusha e pedagogjisë. Po në këtë kapitull paraqet të gjitha lëndët që janë të parapara për këtë program studimor, si dhe plan programin dhe fondin e orëve për çdo lëndë e vit studimi.
Te kreu gjashtë i këtij studimi, prof. Berisha, në mënyrë të detajuar flet për bibliotekën, objektet mësimore si dhe financimin e programit studimor.
Në rend të parë ai shpjegon rëndësinë që ka biblioteka për një student, e mos të flasim për degë studimi. Veçanërisht shpreh shqetësimin që edhe në 10-vjet kjo degë studimi, nuk ka bibliotekën e vet.
Sipas Berishës, ky boshllëk në masë të duhur është plotësuar me angazhimin dhe mundin e pjesëtarëve të stafit akademik, të cilët edhe nga bibliotekat e tyre kane sjellë literaturë të karakterit të caktuar për studentët e tyre. Ai poashtu potencon që në bibliotekat e Universitetit, si dhe në ato të qytetit, nuk ka literaturë të mjaftueshme për këtë degë studimi.
Po këtu gjejmë opinionin e prof. Berishës në lidhje me ambientet ku zhvillohet mësimi dhe ambientet apo zyrat e stafit akademik, që sipas tij nuk i plotësojnë standardet e kërkuara.
Sugjeron se ka ardhur koha që kjo degë të transformohet në një degë tjetër studimi ose fakultet për nevojat e arsimimit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në mënyrë të detajuar flet për financimin e kësaj dege, si tërësi e përbashkët UNMZ.
Tek kapitulli para përfundimeve,prof. Berisha, në detaje përshkruan biografitë dhe bibliografitë e pasura të stafit akademik.
Me shumë vëmendje kam lexuar e studiuar çdo fjalë që prof. Berisha ka shkruar në këtë vepër. Në asnjë mënyrë askush nuk mund të kontestojë rëndësinë që ka kjo degë studimi. Edhe pse ndoshta, ne nuk mund të na pëlqejë, faktet e përmendura në këtë vepër, janë realitet.
Edhe pse jam shumë i sigurt që nuk do të zbuloj asnjë gjë të re që prof. Berisha nuk ka përshkruar në veprën e tij, për shumë arsye, por edhe si redaktor i saj, nuk mund të mos përmend disa çështje që sipas mendimit nuk vlen të anashkalohen, aq më tepër për faktin se isha student i kësaj dege, i angazhuar edhe në aktivitetet studentore.
Jam shumë i sigurt që prof. Berisha, më me shumë vullnet e pasion kishte përshkruar vlerësimin ose prosperitetin e degës së mësuesisë në 10 vitet e jetës së saj. Me më shumë vullnet e pasion kishte numëruar librat e Bibliotekës së mësuesisë, na kishte përshkruar në mënyrë të detajuar ndryshimet e plan-programeve, përfundimet nga takimet e stafit akademik, nga konferencat e mbajtura, si dhe për ambientet, katedrat apo zyrat që kjo degë pas 10 vjetësh duhet t’i kishte…, por që ende i ka në fazën fillestare…siç pohon prof. Berisha. Madje as në fazën fillestare si ka, se kjo degë studimi nga viti që kaloi, “humbi” edhe ato pak kompetenca që kishte, për t’u bërë pjesë e Fakultetit filozofik të Nikshiqit.
Duke njohur përpikërinë profesionale të prof. Berishës, jam shumë i sigurt që nuk kishte harruar të na përshkruante edhe tabelën në hyrje të ndërtesës së universitetit, ku ende nuk është shënuar emri i degës së mësuesisë si e vetmja në këtë ndërtesë….
E dimë të gjithë faktin se Universiteti është autonom dhe është e natyrshme që po nga aty duhet të dalë iniciativa për ta transformuar këtë degë studimi në një fakultet ose degë tjetër studimi për nevojat e arsimit tonë në Mal të Zi. Deri më sot, një gjë të tillë nuk e kemi pasur, apo ndoshta mendojnë se ende na nevojiten mësues për tregun tonë… Vlerësojeni ju vetë!
Para se ta përfundoj shkrimin tim, dua përsëri ta potencoj që hapja e degës së mësuesisë ishte një gjë shumë pozitive për arsimin tonë, por që pas një dekade punë, në rrethana të tilla, ne nuk duhet të jemi të kënaqur, sepse mundemi dhe meritojmë më shumë. Edhe pse përbrenda vullneti nuk ekziston, ne duhet të përpiqemi me tërë kapacitetin tonë që këto studime të transformohen në një degë studimi tjetër për arsimin tonë në Mal të Zi.
Të nderuar lexues, pa hyrë në detaje të tjera të njohura për të gjithë, unë përurimin e librit në fjalë, do ta cilësoja si manifestim me rastin e 10-vjetorit të hapjes së degës së mësuesisë, për faktin se deri më sot, asnjë takim për ketë çështje nuk është organizuar. Ndoshta pak e çuditshme, por faktike dhe për të ardhur keq! Ndoshta dikush ka vlerësuar që një dekadë punë e një dege studimi të lartë nuk meriton së paku një orë përkushtim…
Para se ta mbyll opinionin tim për këtë vepër, po edhe këtu dua te falënderoj të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për hapjen dhe funksionimin e këtij programi studimor. Dua të falënderoj profesorët tanë me vlerë, që me kontributin e tyre na ndihmuan për t’u ballafaquar me problemet e shumta, sepse ne si gjeneratë e parë e dimë shumë mirë së cilat ishin ato, merita është veç e juaja, që ne sot ushtrojmë profesionin e mësuesit.
Pa zgjatur me meritat e njohura që ka prof.Berisha për arsimin shqip, ato i kanë pohuar e shkruar profesorët e Universiteti dhe akademikë të niveleve më të larta, fare në fund dua që në mënyrë të posaçme, në emër të gjithë studentëve e ish studenteve të falënderoj prof. Berishën për këtë dhuratë kaq të bukur dhe me vlera që na bëri në 10-vjetorin e studimeve të mësuesisë. Nga buxheti juaj familjar ndatë të hollat për të qitë në drite një vepër të rëndësishme për arsimin shqip në Mal të Zi e më gjerë.
mr.Marash Dukaj, redaktor i librit
(Fjala e mbajtur në promovimin e veprës në fjalë,Tuz, 25.02.2016)