Bllokohet rruga Rozhajë-Kullë-Pejë

Qarkullimi në rrugën rajonale Rozhajë-Kullë-Pejë është ndërprerë që nga ora 9:30 e ditës së sotme. Në pikën kufitare në Kullë, Radios së Malit të Zi i është thënë se për rregullimin terrenit duhen së paku dy ditë.

Sipas informacioneve që ka RTCG nga pikëkalimi kufitar në Kullë, deri tek ndalimi i qarkullimit të automjeteve ka ardhur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut tek vendi i njohur si “Uji i Savës”, gjë që ka bllokuar të dy kahet e rrugës.

“Për mirëmbajtjen e një pjese të rrugës ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut, përgjegjëse është Kosova. Për pastrimin e rrugës dhe hapjen e saj për qarkullim, nevojiten së paku dy ditë, që do të thotë se kaq kohë do të zgjasë ndalesa e qarkullimit mes Rozhajës dhe Pejës”, i kanë thënë Radio Malit të Zi nga pikëkalimi kufitar në Kullë.

Ndërsa Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj ka njoftuar se rruga rajonale që lidh Kosovën me Malin e Zi do të mbyllet për 24 orët e ardhshme si pasojë e rrëshqitjes së një mase të madhe të dheut.

Foto: RTCG

 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!