Gjukanoviq: Demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, gjatë vizitës në Komunën e Ulqinit ka thënë që ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje. Ai ka thënë po ashtu se demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

“Mali i Zi nuk ka interes për asnjë metër tokë të askujt, përveç se territorit të vet, tha Gjukanoviq në Ulqin. Kështu është qëndrimi ynë ndaj Kosovës edhe ndaj të gjitha shteteve tjera fqinje. Edhe atë që unë dua ta vërtetoj është se ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me qeverinë e Kosovës”.

Sipas Gjukanoviq, demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

“Çështjen e demarkacionit e kemi biseduar shpeshherë me krerët e lartë të qeverisë së Kosovës dhe këtu nuk kemi hasur në asnjë pengesë mes qëndrimeve tona. Është e qartë se ky problem është çështje e brendshme e Kosovës, që vetë Kosova duhet ta zgjidhë. Sa na përket neve, ne nuk kemi pretendime ndaj territoreve të huaja”.

Gjukanoviq po ashtu pohon se nëse paraqitet nevoja që ndonjë çështje të zgjidhet përmes arbitrazhit, atëherë Mali i Zi nuk e ka problem.

“Ne deri më tani përmes dialogut me palën kosovare, nuk e kemi identifikuar temën për arbitrazh. Për të shkuar deri te gjyqi ndërkombëtar ose arbitrazh është e nevojshme të definohet lënda kontestuese”.

Sipas Gjukanoviqit, i gjithë mekanizimi i cili do të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të jetë i pranueshëm, sepse Mali i Zi dëshiron të hyjë në pikën finale të çështjes së demarkacionit, duke ruajtur marrëdhëniet e mira fqinjësore në mes të dy shteteve.

Shperndaje