Mësimet që (nuk) i morëm nga pandemia

Pas rreth një viti e gjysmë përvoje me pandeminë, ne prapë vijojmë të sillemi njëlloj, më saktë nuk dimë të sillemi, duke kaluar nga ekstremi në ekstrem. Njerëzit janë si ata qentë që kur i lëshon nga zinxhiri janë në gjendje të bëjnë çdo gjë. Pas një viti e gjysmë ne sërish jemi rikthyer në fillim. E çdo rifillim është më i vështirë. Realiteti tregon se më shumë nuk kemi nxjerrë mësime nga pandemia sesa kemi mësuar nga ajo dhe se kthimi në normalitet duket shumë larg.

Nga Ismet Kallaba

Historia e shoqërisë njerëzore na mëson se çdo brez apo gjeneratë ka përjetuar fatkeqësi të ndryshme, si luftra, tërmete, vullkane, zjarre, përmbytje etj. dhe është dashur të ballafaqohet me pasojat e tyre. Kësisoj edhe neve na ka rënë për hise të përballemi me pandeminë Covid-19.

Pandemia na ka bërë që të reflektojmë për shumë gjëra. Beteja me Covid-19 ishte (është) një lloj lufte me vetveten, për ta njohur më mirë veten tonë, por edhe të tjerët. Ajo na ka mësuar ta kuptojmë më mirë konceptin dhe vlerën e jetës dhe lirisë. Pandemia na ka mësuar si të jetojmë në kushtet e “arrestit shtëpiak”. Ata që gjatë jetës nuk e kanë përjetuar burgun, kanë pasur rast që ta përjetojnë një formë të burgut në kushtet e pandemisë për shkak të kufizimit të disa të drejtave dhe lirive themelore, siç është qarkullimi i lirë. Pandemia na ka mësuar se ne lirinë shpeshherë e kemi keqpërdorur dhe se liria për një pjesë të mirë të njerëzve (te ne) nënkupton, para së gjithash, qëndrimin disa orë në kafene.
Pandemia na ka zhburrnuar në shumë aspekte. Ajo e ka bërë njeriun më të ftohtë në marrëdhëniet njerëzore ndaj të tjerëve, aq sa vdekja nga Covid-19 për disa nuk përbën më lajm. Vdekjet merren si diçka “normale” në një “periudhë lufte” që po kalon njerëzimi.

Ka kohë që materializmi ka ngadhënjyer ndaj aspektit shpirtëror, por pandemia e ka thelluar këtë hendek edhe më shumë. Kjo vërehet edhe për faktin se një gjest human krejt normal na bën përshtypje, gjë që tregon se deri ku ka degraduar shoqëria e sotme në aspektin moral.
Pandemia ka dëshmuar se njeriu nuk din të sillet në kolektivitet dhe ku të çon papërgjegjësia njerëzore. Të jetosh me pandeminë do të thotë t’i pranosh disa kufizime të cilat më herët as që i ke paramenduar. Përkundër kësaj, situata alarmante epidemiologjike, sidomos në Ulqin, ku ditëve të fundit është shënuar numri më i madh i të infektuarve në raport me numrin e banorëve jo vetëm në Malin e Zi por në tërë Evropën, tregon se ne harrojmë shpejt. I harruam më shumë se 100 viktimat e koronavirusit, në dasma shkaktuam viktima të reja. E gjithë kjo tregon se ne nuk heqim dorë lehtë nga veset tona dhe se qejfet, dëfrimet, pasionet janë për ne më të rëndësishme sesa jetët e njerëzve. Si të shpjegohet ndryshe fakti se vetëm si pasojë e infektimit në një dasmë kanë vdekur 6 apo 7 vetë?!
Pas rreth një viti e gjysmë përvoje me pandeminë, ne prapë vijojmë të sillemi njëlloj, më saktë nuk dimë të sillemi, duke kaluar nga ekstremi në ekstrem. Njerëzit janë si ata qentë që kur i lëshon nga zinxhiri janë në gjendje të bëjnë çdo gjë. Pas një viti e gjysmë ne prapë ndodhemi (sërish jemi rikthyer) në fillim. E çdo rifillim është më i vështirë. Realiteti tregon se më shumë nuk kemi nxjerrë mësime nga pandemia sesa kemi mësuar nga ajo dhe se kthimi në normalitet duket shumë larg. /Koha javore/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!