“Art Club” boton librin “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” të autorit Ali Bardhi

Në edicionin botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, këto ditë doli nga shtypi libri “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” i autorit Ali Bardhi.

Libri është rezultat i projektit “Hulumtimi dhe studimi i varrezave në trevën e Anës së Malit (Ulqin)”, që filloi në vitin 2012 dhe përfundoi në vitin 2015, i mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.

Në parathënien e librit, autori bën të qartë se studimi përfshin vetëm varrezat e pjesës së trevës së Anës së Malit që i përket Komunës së Ulqinit, kurse pjesa e Anës së Malit e mbetur brenda Bashkisë së Shkodrës nuk është përfshirë në këtë studim. Pjesën kryesore të librit e zë materiali i evidentuar gjatë punës në terren, ku janë paraqitur fotografitë e gurvarreve me mbishkrime arabe-osmane të gjetura në trevën e Anës së Malit (Ulqin), si vendvarre në varreza apo të veçuara. Ky libër voluminoz është studimi i parë serioz dhe gjithëpërfshirës që për objekt hulumtimi ka varrezat në trevën e Anës së Malit.

Redaktor i librit është Mr. Ermal Nurja, recensent Dr. Nail Draga, konsulentë Mr. Behlul Kanaqi dhe Gazmend Kovaçi, ndërsa lektor Ismet Kallaba.

Ali Bardhi ka përfunduar Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ndërkaq në vitin 2006 u diplomua në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit Marmara të Stambollit. Në vitin 2009 magjistroi pranë Institutit të Shkencave Sociale, në degën Historia islame (periudha osmane) të Universitetit të Marmarasë. Ka marrë pjesë në shumë projekte dhe konferenca të ndryshme shkencore në fushën e teologjisë dhe historisë, brenda dhe jashtë vendit. Është autor i shumë artikujve në fushën e teologjisë, historisë dhe drejtësisë, të botuar në revista dhe gazeta të ndryshme. Aktualisht është kryeimam i Ulqinit. “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” është libri i tij i parë.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 110 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!