Bernard Çobaj: Edward Said – I pavend

Gjatë javëve të para profesori na caktoi një ese me temë Për ndezjen e një shkrepëseje. Shkova me përkushtim në bibliotekë dhe hulumtova nëpër enciklopedi, histori të industrisë, manuale kimike në kërkim të asaj që ishin shkrepset; Më pas, pak a shumë sistematikisht përmblodha dhe shënova atë që gjeta dhe, mjaft krenar për atë që kisha përpiluar, e dorëzova. Profesori pothuajse menjëherë më kërkoi të vija te zyra e tij dhe më komplimentoi për kërkimin tim.

Por a është kjo mënyra më interesante për të shqyrtuar se çfarë ndodh kur dikush ndez një shkrepëse?

Po sikur të përpiqet t’i vërë zjarrin një pylli, ose të ndezë një qiri në një shpellë, ose, në mënyrë metaforike, të ndriçojë errësirën e një misteri si graviteti, siç bëri Njutoni?

Fjalë për fjalë, për herë të parë në jetën time më hapi profesori një temë në mënyrë të tillë që unë iu përgjigja menjëherë dhe me emocion. Ajo që më parë ishte shtypur dhe mbytur në studimet akademike – e shtypur në mënyrë se kërkohej të jepeshin përgjigje të plota dhe të sakta për të përmbushur një planprogram të standardizuar dhe një provim rutinë, të krijuar në thelb për të treguar fuqinë e memorizimit, jo aftësitë kritike apo imagjinative – u zgjua dhe procesi i ndërlikuar i zbulimit intelektual (dhe zbulimit të vetvetes) nuk është ndalur kurrë që atëherë. Fakti që isha në çdo mënyrë i pavend, më dha nxitjen për të gjetur territorin tim, jo shoqërisht, por intelektualisht. –Edward Said, Jashtë vendit (Out of Place)

Pjesa e shkëputur nga memoaret e Saidit pasqyron momentin xhojsian në zhvillimin e kredos intelektual të tij

I lindur nga prindër të pasur në Palestinë, nën mandatin britanik, në vitin 1935, Edward W. Said ia kushtoi jetën e tij të rritur ndërgjegjësimit për çështjen palestineze në skenën botërore. I rritur si protestant në një komunitet kryesisht ortodoks lindor në Jeruzalem, ai kuptoi herët në jetë se kishte një identitet të ndarë. Emri i tij i parë ishte britanik, mbiemri i tij arab dhe ai mbante një pasaportë amerikane përmes shërbimit në ushtrinë amerikane të babait të tij në Luftën e Parë Botërore.

Emrin Edward e fitoi sipas princit të Uellsittë cilin e admironte nëna e tij, i cili hoqi dorë nga froni për shkak të gruas që dashuronte. Për nënën e tij kjo ishte diçka impresive. Hilda, nëna e tij, ishte ‘shoqëruesja më e ngushtë dhe më intime në 25 vitet e para të jetës sime’. (Intensiteti i lidhjes ishte pjesërisht për shkak të humbjes së një djali nga Hilda një vit përpara se të lindte Edwardi.)

Në vitin 1994 Said vizitoi Jeruzalimin me familjen e tij – e gjeti shtëpinë ku kishte lindur më 1935, por nuk kishte fuqi emocionale të futej brenda. Mbeti jashtë – siç ishte predikimi i popullit të tij palestinez – të jenë dhe të ndihen jashtë vendit të vet.

Shkaku i vizitës ishte një diagnozë fatale me leukeminë në vitin 1991 – që e shtyu atë të fillonte të punonte në shkrimin Jashtë vendit  (Out of Place, 1999), një histori mërgimi dhe kujtesë për të kaluarën e tij. Libri i Saidit është i mbushur me dëshirën për të dokumentuar jo vetëm një jetë, por një kohë dhe vend – Palestinën në vitet 1930 dhe ‘40 – që është zhdukur që atëherë.

Jashtë vendit është rrëfimi i jetës së Saidit përpara karrierës së tij profesionale dhe një vepër depërtuese në paradokset e shumta të identitetit të tij si intelektual publik, teoricien letrar dhe aktivist politik.

Është gjeografia – veçanërisht në formën e zhvendosur të largimeve, ardhjeve, lamtumirës, mërgimit, nostalgjisë, mallit për shtëpinë, përkatësisë dhe vetë udhëtimit – që është thelbi i kujtimeve të mia të atyre viteve të hershme.

Me një stil të drejtpërdrejtë, shpesh poetik, Said përshkruan historinë e tij të familjes, arsimimin e tij në shkollat britanike dhe amerikane dhe shkuarjen e tij në SHBA më 1951. Elementet më tërheqëse të kujtimeve janë detajet e vogla personale që na ndihmojnë të kuptojmë veprën e tij të mëvonshme: dashuria e Saidit të ri për filma të tillë hollivudianë si Arabian Nights, me Maria Montez, ose romanet e Mark Twain dhe Fenimore Cooper, ofrojnë njohuri të reja në shkrimet e tij të mëvonshme rreth orientalizmit. Një rrëfim i bukur dhe prekës që qëndron më vete si një klasik në artin e kujtimeve dhe si një çelës për të kuptuar gjenezën e veprës intelektuale të Saidit.

Gjithçka nënvizon konfuzionin e identitetit që Said i ri përjetoi kur u pajtua me disonancën e të qenit një qytetar amerikan, një i krishterë dhe një palestinez dhe, në fund të fundit, një i huaj. Tepër e detajuar, prekëse, shpesh e thellë, Jashtë vendit përshkruan ardhjen në moshë të një të riu dhe formësimin e një mendimtari të madh modern.

Meqenëse nuk kam dëshirë të lëndoj ndjenjat e askujt, detyrimi im i parë nuk ka qenë të jem i mirë, por të jem i vërtetë ndaj kujtimeve, përvojave dhe ndjenjave të mia të veçanta.

Familjarët e Saidit, anëtarë palestinezë të Kishës Anglikane, ishin një pakicë brenda një pakice në Egjipt. Ata u vendosën fëmijëve të tyre emra anglezë dhe shoqëroheshin kryesisht me të krishterë të tjerë arabë nga Palestina, Libani dhe Siria. Babai Wadie, i cili ishte krenar për bardhësinë e lëkurës së tij dhe nganjëherë pretendonte se ishte nga Klivlendi, identifikohej më shumë me Amerikën sesa me Palestinën. Edwardi u rebelua kundër fshehjes dhe heshtjes që kishte imponuar humbja e Palestinës që babai i tij, William Said, e kishte pranuar, duke lënë pas, jo vetëm të kaluarën e familjes në Jeruzalem, por edhe emrin e tij arab, Wadie.

Ndërsa jetonte dhe punonte në qytetin e Nju Jorkut, lufta arabo-izraelite e vitit 1967 shënoi një pikë përcaktuese në jetën e tij. “Unë nuk isha më i njëjti person pas vitit 1967”, ka shkruar Said. Tronditja e asaj lufte më ktheu atje ku kishte nisur gjithçka, lufta për Palestinën.

Pas vitit 1967, Said përqafoi rezistencën palestineze – një akt “përkatësie”, siç u shpreh ai, një angazhim i bazuar në përkushtim. Nëse babai Wadie zgjodhi të amerikanizohej, duke mbështetur luftën në Vietnam, Edward zgjodhi palestinizimin.

Të jesh levantin do të thotë të jetosh në dy ose më shumë botë në të njëjtën kohë, pa i përkitur asnjërës, shkroi Said.

Sinqeriteti i tij emocional është vërtet tronditës dhe na nxit të bëhemi njerëz më të mirë. Forca e tij morale është frymëzuese, si një shembull i asaj që është e drejtë ose e denjë për njerëzimin, kurse prejardhja dhe fërkimet e tij të brendshme janë çështje të njohura humane.

Ai shquhet si ndoshta intelektuali i fundit publik i kohës sonë. Sot madje nuk ka më intelektualë publikë të këtij kalibri, ndoshta me përjashtim të Noam Chomsky-t.

Edward Said është magjepsës në një sërë frontesh. Ai është një person që pajtoi shumë kontraste  në personalitetin e tij: të qenit palestinez, i krishterë, mërgimtarë që u detyrua të largohej nga Jeruzalemi në vitin 1948, një i diplomuar në Princeton, një profesor i letërsisë krahasuese në Universitetin e Kolumbias, një studiues, një aktivist politik, kritik letrar dhe i muzikës klasike,  pianist e regjisor filmi. Nuk do t’i gjeni këto dimensione të shumëfishta te shumë njerëz në ditët e sotme. Ai shpalos aftësinë për të parë përtej të menjëhershmes dhe për të njohur kulturën që qëndron pas asaj materiale, duke parë rrënjët e dominimit në fuqinë e ideve, por me një lidhje të ndërlikuar me realitetet materiale që strukturojnë ide të tilla.

Artikulimi i tij është magjepsës, njohuritë e tij janë të thella dhe guximi i tij është marramendës.  Ai është një estet i vërtetë që nuk është shitur për para apo famë, që ka parime të gdhendura në karakterin e tij dhe që fiton zemrat për shkak të talentit dhe kauzës së tij.

Të isha vetvetja do të thoshte jo vetëm që të mos isha kurrë mirë me veten, por gjithashtu të mos ndjehesha kurrë i qetë, të prisja gjithmonë të më ndërpriste ose korrigjonte tjetri, të më pushtohej privatësia dhe të dilte në pah personi i pasigurt – Said (Jashtë vendit) 

Profesor Said mori disa çmime për kujtimet e tij,  duke përfshirë Çmimin e Librit të Nju Jorkut të vitit 1999 për Jo-Fikcion (Non-Fiction); Çmimi i Librit të Vitit 2000 Anisfield-Wolf për Jo-Fikcion; dhe Çmimin Morton Dauwen Zabel në Letërsi, dhënë nga Akademia Amerikane e Arteve dhe Letrave.

Poashtu, pas vdekjes së Said me 2003, regjisorët Heba Bourini dhe Mohammad Jameel punuan filmin dokumentar që hodhi dritë mbi “identitetin e ndarë” që përjetoi Eduardi.

Jameel shtoi se ata ishin të prirur të “ruanin fokusin që Said të ishte një figurë palestineze, pa lejuar që kauza palestineze dhe konflikti i gjatë palestinezo-izraelit të errësojnë dokumentarin dhe universalitetin dhe statusin e ish-dijetarit të Universitetit Columbia si një nga kritikët letrarë më me peshë të çerekut të fundit të shekullit të 20-të.

Shperndaje