Hashim Thaçi, ka dhënë betimin sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës si presidenti i ri i Kosovës, duke pasuar në këtë detyrë presidenten Atifete Jahjaga.
Nesër, më 8 prill, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë,mbahet ceremonia e inaugurimit të Thaçit si president, e ku do të marrin pjesë shumë personalitete të politikës rajonale dhe botërore.
Deri më tani, nga burimet e afërta të ekipit të presidentit, pjesmarrjen në ceremoninë e inaugurimit, e kanë konfirmuar personalitete të larta të politikës rajonale, duke përfshirë këtu presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.
Nga Shqipëria e kanë konfirmuar presidenti Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta, kryeministri Edi Rama i cili sot ka mbërritur në Prishtinë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe disa ministra e politikanë të tjerë të subjekteve politike në Shqipëri.
Nga politikanët shqiptarë në Mal të Zi, ftesën nga Hashim Thaçi dhe pjesmarrjen e tyre në inaugurim e kanë konfirmuar kryetari i PD Fatmir Gjeka, kryetari i Ulqinit Nazif Cungu dhe deputeti i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj.Nga Mali i Zi gjithashtu do marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Dushko Markoviq.
Nga Turqia pjesmarren e ka konfirmuar kryetari i Parlamentit, Ismail Kahraman, bashkë me 7 përfaqësues të subjekteve politike në parlamentin turk,nga Maqedonia zëvendëskryeparlamentari, Rafiz Halili,Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërsa nga Bullgaria nënkryetari i Kuvnedit.
Të konfirmuara me nivel të lartë përfaqësimi janë edhe delegacionet nga Emiratet e Bashkuara Arabe,Danimarka, Egjipti, Gana, Jordania, Kosta Rika, Japonia, Bahrini, Katari, Kuvajti, Arabia Saudite, Kanadaja, Latvia, Estonia, Austria, Malta, si dhe delegacione të tjera./Malësia.ME/