Thaçi betohet si president i Kosovës (Video)

Hashim Thaçi është betuar paraditen e sotme si presidenti i ri i Kosovës, duke pasuar në këtë detyrë presidenten Atifete Jahjaga.

Thaçi, ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pa praninë e opozitës por me atë të familjarëve të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Thaçi ka vënë në dukje se gjatë gjithë karrierës së tij si kryeministër është angazhuar në të gjitha proceset për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërsa si president, ai ka premtuar se do të jetë garant i Kushtetutës.

“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me media, bizneset dhe iniciativat e lira. Si kreu i shtetit do të ruajë, kultivojë dhe përfaqësojë unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, teksa ai u drejtohej deputetëve me fjalimin e rastit, jashtë godinës së Kuvendit policia ka sprapsur disa të rinj që hidhnin gurë ndaj mureve të Kuvendit.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!