Nga sot, mbajtja e maskave është e detyrueshme vetëm në institucionet e kujdesit shëndetësor, transportin publik dhe akomodimin kolektiv. Në të gjitha objektet e tjera mbetet si rekomandim. Kufizimi i numrit të të pranishmëve në tubime po hiqet, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq. Masat janë në fuqi deri më 22 prill.
Galiq vuri në dukje se të gjitha masat e tjera mbeten në fuqi.
“Theksojmë edhe një herë se nëse do të konstatohet një trend i pafavorshëm do të reagojmë menjëherë dhe do t’i rishikojmë këto masa para datës 22 prill. Ne besojmë në përgjegjësinë e qytetarëve tanë dhe shpresojmë që të mos ketë nevojë për një lëvizje të tillë”, tha ai.
Galiq tha se numri i pacientëve është më i ulët për rreth nëntë për qind krahasuar me dy javët e mëparshme.
“Gjithashtu, numri i vdekjeve është më i ulët për 18,2 për qind krahasuar me dy javët e mëparshme”, tha drejtori i ISHP-së./TvTeuta/