Deputetët që do ta rrëzojnë Demarkacionin me Malin e Zi!

Këto ditë është kthyer edhe një herë si temë diskutimi çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Qeveria në njërën anë e opozita në anën tjetër janë duke propaganduar me deklaratat e tyre.

E duke e ditur se një marrëveshje ndërkombëtare mund të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me vetëm dy të tretat e votave, koalicioni PDK-LDK vazhdon të deklarohet se i posedojnë ato, ndërsa opozita beson se do të këtë deputetë të pozitës që do t’i tradhtojnë partitë e tyre dhe rrjedhimit ta ndalojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje.

E duke e parë këtë debat në largësi ndërmjet pozitës dhe opozitës, Gazeta JNK ka kontaktuar me disa prej deputetëve të cilët në deklarimet e tyre të deritanishme kanë qenë të pavendosur rreth votës së tyre, apo dhënies së ndonjë opinioni për marrëveshjen.

Nëse llogarisim që të gjithë deputetët e partive opozitare janë kundër marrëveshjes, atëherë i bie se që në fillim janë 30 vota më pak, pasi që VV, AAK dhe NISMA numërojnë 30 deputetë, duke mos e llogaritur edhe Ilir Dedën, i cili para disa kohësh ka dhënë dorëheqje nga “Vetëvendosja”, ani pse në faqen zyrtare të Kuvendit ende figuron si deputet i VV-së.

Pra nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Kosovës, pa deputetët e opozitës, mbesin 90. E për të arritur qëllimin e tyre partive opozitare u duhen edhe 11 emra që i përkrahin në këtë rrugëtim që e kanë nisur prej fundit të gushtit, kur edhe ishte arritur kjo marrëveshje.

Opozita më së shumti është duke shpresuar te grupi parlamentar i LDK-së, për emrat që mund të rreshtohen në krahët e saj.

Është deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, profesor i gjeografisë në UP, që për një kohë të gjatë thotë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë me këtë marrëveshje dhe se vota e tij do të jetë kundër.Shumë i zëshëm rreth vijës kufitare me Malin e Zi ishte edhe deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi.Votën kundër kësaj marrëveshjeje e ka konfirmuar për Gazeta JNK edhe deputeti i Lëvizjes për Bashkim Raif Qela, i cili veprimtarinë e tij si deputet e kryen nën Grupin Parlamentar të PDK-së.Ndërsa edhe deputeti tashmë i pavarur Shaip Muja e ka konfirmuar për Gazeta JNK se nuk do ta japë voton pro demarkacionit me Mali e Zi.

Shpejtim Bulliqi, Gëzim Kelmendi, Raif Qela, Shaip Muja, Ilir Deda po edhe Vjosa Osmani nuk do ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Anton Quni, Arben Gashi, Adem Salihaj, Alma Lama, Murat Hoxha, Labinotë Demi-Murtezi, janë deputetët që qëndrimin e tyre do ta bëjnë të ditur atëherë kur të votohet në Kuvend.

Ndërsa duke parë në të kaluarën, koalicionit qeveritar mund t’i dalë problem edhe me deputetët serbë, të cilët mund ta shfrytëzojnë këtë krizë të votave dhe të dalin me kërkesa para partnerëve.

Rrjedhimisht deri tani janë 35 deputetë, duke llogaritur të gjithë deputetët e opozitës që do të votojnë kundër.

Ndërsa opozita shpreson nga emrat e tjerë të cilët ende s’kanë marrë qëndrim për të votuar kundër. Pra mjaftojnë vetëm edhe 6 deputetë që të mos ratifikohet kjo marrëveshje./GazetaBlic/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!