Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova të gatshme për të ndihmuar Maqedoninë

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e përmbytjeve të natës së mbrëmshme në rrethinën e Shkupit.

Në bisedën telefonike të tij, me kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, kryetari Vujanoviq ka ofruar mbështetjen e Malit të Zi, në kuadër të mundësive që ky shtet i ika.

Hoxhaj ofron ndihmën qeveritare të Kosovës për Maqedoninë

Kosova ka shprehur gatishmëri për të përkrahur në çfarëdo forme shtetin e Maqedonisë. Kjo është bërë e ditur nga një komunikim i kryeministrisë, por edhe nga bisedat telefonike që ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pasur me homologun e tij maqedonas.

“Kosova qëndron përkrah Maqedonisë pas viktimave në njerëz dhe dëmeve të mëdha të pësuara gjatë 24 orëve të fundit. Në bisedën telefonike që pata sot me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki, i shpreha ngushëllimet e mija për humbjen e jetërave të qytetarëve, solidarizimin në emër të qeverisë së Kosovës dhe gatishmërinë për të ofruar çfarëdo ndihme që ka nevojë”, ka thënë Hoxhaj

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Qeverinë e Kosovës, Haki Demolli, thotë se janë të gatshëm të dërgojnë ekipet e kërkim shpëtimit në Maqedoni, por që për këtë duhet të bëhet një kërkesë formale nga shteti i cili kërkon ndihmë.

“Ne shprehim gatishmërinë tonë si ministri e FSK-së të dërgojmë pjesëtarë të trupave tanë në vendin mik Maqedoninë, ku kemi një bashkëpunim të mirë në sferën e sigurisë. Për këtë dërgim kam biseduar edhe me kryeministrin, Isa Mustafa, që të dërgojmë ekipet tona, njësitet tona më të mira, në veçanti ekipin e përgatitur të kërkim shpëtimit me qëllim të gjetjes së personave të zhdukur”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se është i tronditur nga humbjet e jetëve në Maqedoni nga vërshimet e shiut.

Ai, gjithashtu, ka përmendur edhe ndihmën e ofruar nga institucionet e Kosovës, transmeton Koha.net.

“Jam i tronditur nga humbjet e jetëve nga pasojat e rrebeshit të madh të shiut në Maqedoni. Ngushëllime të gjithëve që janë prekur. Institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndihmojnë”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar se po ndjek me shqetësim situatën e përmbytjeve në Maqedoninë fqinje.

Kryeministri shqiptar i cili ndodhet për pushime në plazhin e Dhërmiut, ka shkruar në Facebook se është gati për të ndihmuar për çdo gjë që mundet qytetarët e Maqedonisë.

“Ndjekim me dhimbje e shqetësim zhvillimet tragjike ne Maqedoni! Gati për çdo gjë mundemi për të ndihmuar vëllezërit, motrat dhe fqinjët tanë!”, ka shkruar Rama.

Ministri i Jashtem i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka biseduar sot me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Nikola Poposki, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Integrimit Arbër Ademi, si dhe me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Në emër të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, Bushati shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave dhe përcolli solidaritetin e Shqipërisë në këto momente të vështira.“Shprehim gatishmërinë e plotë për të mbështetur autoritetet qendrore dhe vendore të Maqedonisë pëër tejkalimin e kësaj situate të rëndë humanitare”, theksoi Bushati.

Rrjeti kosovar ‘Elkos group Etc’, i biznesmenit Ramiz Kelmendi, me shtrirje edhe në Maqedoni është ofruar të mbështes familjet që pësuan me viktima dhe dëme mareriale nga përmbytjet e mëdha që ndodhën mbrëmë në rajonet e Shkupit.

“Mbështetja dhe ndihmat për këto familje do të realizohen dhe shpërndahen në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, respektivisht ambasadorin tonë atje z.Ylber Hysa”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media nga kjo kompani,

Shperndaje