Tiranë: Bushati takohet me politikanët shqiptar të Malit të Zi (Video)

Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi, krerët e partive politike shqiptare u takuan në Tiranë me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushatin.Ai garantoi mbështetjen e Shqipërisë për popullsinë shqiptare në Mal të Zi, duke nënvizuar nevojën për faktorizimin e saj.

Siç shkruan Top Chanel, Ministri Bushati përshëndeti angazhimin e ndërmarrë nga faktori politik shqiptar për t’u grupuar politikisht në 3 koalicione zgjedhore, si dhe inkurajoi vijimin e bashkëpunimit mes tyre për realizimin e një platformë të përbashkët bashkëpunimi në funksion të mbrojtjes së interesave të të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.

Në këtë kuadër, ministri Bushati inkurajoi shqiptarët e Malit të Zi të shprehin vullnetin për 3 koalicionet shqiptare: “Me një qëllim”, “Shqiptarë të Vendosur” dhe koalicioni “Lidhja Demokratike Shqiptare”, për të siguruar një përfaqësim më të mirë shqiptar dhe rritjen e mëtejshme të të zgjedhurve në Parlamentin e ri,shkruan Top Channel.

Ministri Bushati vuri në dukje vëmendjen e madhe me të cilën Qeveria e Shqipërisë ndjek gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi dhe në rajon. Ai vlerësoi popullsinë shqiptare të Malit të Zi si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke ndikuar ndjeshëm në afrimin e dy popujve si dhe evidentoi rolin e faktorit shqiptar në pavarësimin dhe avancimin e Malit të Zi në proceset e integrimit euroatlantik.Në këtë kuadër, ministri Bushati shprehu mbështetjen për proceset integruese të Malit të Zi, çka përbën interes për avancimin e mëtejshëm për shqiptarët e Malit të Zi, si dhe i shërben stabilititetit të rajonit tonë.

Bashkëbiseduesit e njohën ministrin Bushati me disa nga sfidat e popullsisë shqiptare në Malin e Zi, që lidhen kryesisht me të drejtat e tyre të përfaqësimit në institucionet lokale dhe qendrore, menaxhimin e resurseve sipas legjislacionit vendas, si dhe përdorimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare. U theksua nevoja e përmirësimit të kuadrit ligjor në funksion të arritjes së standardeve europiane dhe ndërkombëtare, përsa i takon respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.

Duke nënvizuar domosdoshmërinë e zgjidhjes së problematikave të ngritura, ministri Bushati siguroi bashkëbiseduesit se qeveria e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje ecurinë e mëtejshme të pozitave të shqiptarëve në Malin e Zi.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!