Dukaj: Zhvillimi i demokracisë matet me shkallën e decentralizimit

Qëllimi kryesor i politikës së jashtme të Malit të Zi, anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE), nuk mund të arrihet pa komuna të forta dhe të zhvilluara, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj në takimin e grupit punues për analizën e funksionimit të vetëqeverisjes lokale.

Dukaj, siç njofton Ministria e Administratës Publike, tha se ky resor ka vendosur për aplikimin e një qasje gjithëpërfshirëse në analizën e sistemit të vetëqeverisjes lokale.

Ai tha se presin që të përcaktohet një vlerësim objektiv i gjendjes në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale, ku në fund do të marrin udhëzimet për përmirësimin e mëtutjeshëm të të gjithë sistemit.

Dukaj theksoi se shkalla e zhvillimit të demokracisë së një shoqërie matet me shkallën e decentralizimit të realizuar dhe se komunat janë pushteti më i afërt me qytetarët.

Prandaj, siç tha ai, është obligim që të bëhet decentralizimi i mëtutjeshëm i udhëhequr nga parimi i profesionalizmit dhe objektivitetit, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me nevojat e qytetarëve.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në BE, si prioriteti ynë kyç i politikës së jashtme, nuk mund të arrihet pa komuna të forta dhe të zhvilluara”, tha Dukaj.

Siç tha ai, këtë e tregon edhe fakti se 70 për qind e legjislacionit evropian zbatohet në nivel lokal.

Shperndaje