Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ambasadorin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha.
Gjatë takimit, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ambasadori Dinosha e ka informuar kryeministrin Mustafa për ekspozenë në Kuvendin e Malit të Zi nga kryeministri i porsazgjedhur malazez, Dushko Markoviq, si dhe për prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Malit të Zi.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimin e përbashkët për zgjerimin e miqësisë. Ai, po ashtu, tha se Kosova është e interesuar për thellimin e marrëdhënieve me Malin e Zi, me theks të posaçëm në rrugën integruese evropiane.
Ambasadori Ferhat Dinosha, pasi e falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, shprehu përkushtimin e Malit të Zi për thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe të shkëmbimeve me Kosovën.
Edhe ambasadori Dinosha, shprehu vullnetin e plotë të Malit të Zi dhe të Qeverisë së re për thellimin e relacioneve, shkëmbimeve si dhe bashkëpunimit bilateral me Kosovën. Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe për adresimin e çështjeve në interes të përbashkët.