Thaçi merr detyrën e Presidentit (Video)

Sot në orën 11:00 u bë inaugurimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Ceremonia u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.

Të gjitha rrugët që të çonin për në sheshin kryesor të qytetit ishin të bllokuara dhe forca të shumta policore ndodheshin pothuajse gjithandej. Në të ishin të pranishëm presidentë, kryeministra, ministra e ambasadorë të vendeve mike të Kosovës.

Hashim Thaçi iu drejtua tribunës teksa doli nga selia e Presidencës i shoqëruar nga paraardhësja e tij Atifete Jahjaga. Në mënyre simbolike ajo i dorëzoi Thaçit një Kushtetutën e vendit, për të cilën ai premtoi se do jetë rojtar i saj.

Në fjalën e tij, Thaçi u shpreh se ky është sheshi ku rinia ka protestuar ndër vite për lirinë e saj. “Ndaj dua të falenderoj të gjithe ata që kontribuan që Kosova të jetë e lirë”, tha Thaçi.

Më tej ai shtoi sevendi ka shumë punë për të ecur përpara, por shprehu bindjen se do të realizohen dhe hapi  parë, sipas tij, ishte kjo ditë ku Kosova po i tregonte botës se ka arritur pjekurinë e një demokracie europiane.

Para fillimit të ceremonisë në shesh u hodh gaz lotsjellës. Në lidhje me ngjarjen Policia e Kosovës ka vënë në pranga shtatë persona si të dyshuar kryesorë. Të ndaluarit, sipas policisë, kanë patur çanta me vete ku dyshohet se ruanin gazin lotsjellës.

Më herët, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilësoi një shfaje cirku ceremoninë e sotme. Për AAK-në, Hashim Thaçi, nuk është President i Unitetit dhe manifestimi i inaugurimit të tij është përpjekje e tij, për te kompensuar një element të rëndësishëm që i mungon.

Hashim Thaçi, thuhet në deklaratë, gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë sinonim i kapjes së shtetit; Ai i ka qenë po ashtu shkaktar i shkallës së lartë të krimit dhe të korrupsionit dhe së fundi i ka luajtur edhe gurët e kufirit dhe prandaj zgjedhja e tij, mund të jetë vetëm riciklim i një gjendjeje katastrofike për vendin.

Hashim Thaçi u betua dje si President para deputetëve të Kuvendit të Kosovës./ TopChannel/

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!