Kosovë, shtyhet mbledhja e Qeverisë për demarkacionin

Kosova ka hyrë në një javë që po shihet si përcaktuese për të ardhmen e qeverisë së saj. Mbledhja e sotme ku qeveria pritej të dërgonte për miratim në Kuvend projektligjin e Demarkacionit me Malin e Zi, u shty për të mërkurën, dita kur është caktuar edhe seanca e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Qeveria e Kosovës njofton se shtyrja e mbledhjes është bërë pas diskutimeve me partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e SHBA-ve në vend.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës ishte paraparë të mbahej gjatë ditës së sotme nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, mirëpo në sallën e mbledhjeve të Qeverisë erdhën vetëm ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kurse ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk erdhën fare. Ministrat e LDK-së, pas rreth gjysmë ore pritjeje lëshuan sallën e mbledhjes.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!