Turistët të cilët do të infektohen me koronavirus do të mjekohen në llogari të shtetit

Në prag të sezonit turistik në Mal të Zi, po finalizohen protokollet shëndetësore, ndërsa Qeveria ka vendosur që të sigurojë turistët e huaj që do të infektohen me korona virus gjatë qëndrimit të tyre në vend, për t’u trajtuar në llogari të shtetit.

Ministri malazes për zhvillim ekonomik Jakov Milatoviq në konferencë për shtyp tha se protokollet shëndetësore do të shpërndahen në sektorin e turizmit dhe ambasadat javën e ardhshme dhe do të jenë në gjuhën angleze dhe ruse.

Ministrja malazeze e Shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq tha se janë përpjekur që të thjeshtësojnë protokollin dhe se turistët do t’ju sqarohet se si të sillen nëse ndiejnë simptoma të Covid-19 ose infektohen me Covid-19, raporton “Vijesti”.

“Qeveria ka vendosur që turistët që sëmuren nga Covid-19 gjatë qëndrimit të tyre në Malin e Zi dhe do të shtrohen në spital do të trajtohen në kurriz të shtetit”, tha ajo.

Testimi PCR, nëse është i nevojshëm nga turistët që kthehen në vendin e tyre, do të kryhet normalisht në dy mënyra – njëra do të organizohet me ndihmën e Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi dhe do të kryhet falas dhe turistët do të jenë në gjendje të marrin teste dhe në laboratorë privatë.

Të gjithë hotelierët do të ndajnë 10% nga kapaciteti për raste të mundshme të Covid-19, paralajmëroi Boroviniq Bojoviq.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!