VV kërkon korrigjim dhe pastaj ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi

Së pari duhet të ndodhë korrigjimi i kufirit me Malin e Zi, e pastaj të bëhet ratifikimi i tij. Nëse ndodhë e kundërta që ratifikimi t’i paraprijë korrigjimit, kjo është pikërisht mënyra e pamundësisë së korrigjimit.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me temë “Shënimi i kufirit me Malin e Zi – Korrektimi para ratifikimit”.

Shefi i Grupit parlamentar i VV-së, Glauk Konjufca tha se nëse është konkluduar se ka gabime në shënimin e kësaj vije kufitare, atëherë së pari duhet të bëhet korrigjimi dhe pastaj ratifikimi.

“Bile edhe presidenti tha që mund të ketë pasur gabime. Atëherë konkludimi im është se së pari duhet të ndodhë verifikimi i gabimeve, kjo do të thotë që korrigjimi i paraprinë ratifikimit. Nëse ndodhë e kundërta që ratifikimi t’i paraprijë korrigjimit, kjo është pikërisht mënyra e pamundësisë së korrigjimit. Pra korrigjimi vdes si mundësi. Nëse hedhet poshtë një version i gabueshëm i demarkacionit me shumicë votash në Kuvend, ky është akt sovran pa kurrfarë rreziku. Nëse ratifikohet një marrëveshje e gabueshme dhe pastaj ka përpjekje post festum për ta prekur atë, pala e dëmtuar ka gjasë të cilësoj këtë si agresion territorial që dërgon në tensione dhe prishje e marrëdhënieve dhe politike dhe diplomatike”, tha ai.

Ndërkaq Ali Lajçi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosjes dhe ish anëtar i Komisionit Qeveritar për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, thotë se pika e kufirit është në Qakorr dhe se Qeveria bashkë me komisionin e hershëm, ka marrë mandat të gabueshëm dhe ka vepruar gabimisht, duke krijuar kështu një vijë të re kufitare.

E lideri i VV-së, Albin Kurti, tha se në kohet e fundit janë dy zhvillime pozitive dhe dy propozime për gabim në hapa.

Dy zhvillimet pozitive, sipas tij, është gatishmëria e Malit të Zi që të bisedojë dhe gatishmëria e presidentit Hashim Thaçi, për ta pranuar gabimin, por thotë se nuk duhet gabuar në hapa, pasi që së pari duhet të korrigjohet vija kufitare e pastaj të ratifikohet.

 Ratifikimi i demarkacionit, sipas tij, mund të bëhet ditën që Kosova e përmbush dhe kriterin tjetër për liberalizim, siç është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kurti po ashtu kërkon që të ndërmerren hapa tjerë si një debat parlamentar për raportin e Komisionit Bulliqi, të nxirret një deklaratë e Kuvendit të Kosovës për fqinjësi të mirë me Malin e Zi dhe me kërkesë për rishqyrtim të marrëveshjes.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!