SHPK Tregu – Tuz e ka destinuar hapësirën ndërmjet kopshtit të fëmijëve dhe Tregut për parkim në mënyrë që vizitorët dhe tregtarët të parkohen lirshëm.
Parkimi duhet të asfaltohet këto ditë. Siç tha Naim Gjokaj, shef i Shërbimit të Tregut, së shpejti do të ndërtojnë edhe një parking tjetër.
Sapo e morëm Tregun nga Podgorica, pamë që shitësit nuk kanë kushte elementare. Filluam duke sjellë ujin dhe më pas e ngritëm sigurinë në nivel më të lartë.
Zëvendësuam të gjitha dyert hyrëse dhe iu përkushtuam zgjidhjes së problemit të parkimit. Ky është një problem i madh sepse përreth ka institucione të rëndësishme si shkolla, kopshti, shtëpia e shëndetit, QKI Malesia… Ai parking do të asfaltohet së shpejti dhe do të ketë një hyrje dhe një dalje nga parkingu. Poashtu do të punojmë edhe një parking tjetër në parcelën pas Shtëpisë të Shëndetit. Aty tashmë e kemi rregulluar hapësirën – tha Gjokaj për gazetën DAN.
Ai thekson se në treg ka mallra me vlerë, ndaj kanë vendosur kamera dhe kanë angazhuar roje. Ai shprehet gjithashtu se kanë riparuar ambientet që përdorin kolektorët, si dhe tualetet që ishin në gjendje më shumë se të keqe. Mbetet të zgjidhet problemi me energjinë elektrike dhe çatinë e tregut.
Presim që së shpejti të riparojmë rrjetin elektrik. Është planifikuar gjithashtu ndërrimi i çatisë. Është një projekt që do ta realizojmë në fund të këtij apo në fillim të vitit të ardhshëm. Do të bëhet ndrrimi i çatisë dhe Tregu do të marrë një pamje të re..
Është për të ardhur keq të mburremi se kemi sjellë ujin në treg, kemi rregulluar tualetet dhe kemi shtuar sigurinë, por ashtu është, sepse askush nuk është kujdesur për këtë objekt dhe për shitësit.
Ata tani e shohin se po investohet dhe se çdo qindarkë e tyre shkon në përmirësimin e kushteve dhe paguajnë rregullisht. Çmimi i qiras së tezgave ka mbetur e njëjtë. Do të bëjmë një analizë dhe do të shohim nëse lista e çmimeve duhet të ndryshojë. Nuk ka anulime të tezgave, madje ne nënshkruajmë kontrata të reja çdo ditë – tha Gjokaj.
Gjokaj thekson se kanë organizuar një aksion me Ndërmarrjen Komunale dhe kanë mbjellë 200 fidanë pemësh në mes të kopshtit, shkollës dhe parkingut.
Malësia.ME