Ngjarjet javore: Deçiqi shkruan kapitull të ri

Përmbledhja javore e lajmeve kryesore.

Redaktuar nga: Anton Gjokaj

Deçiqi shkruan kapitull të ri

Të mërkurën mbrëma KF Deçiqi arriti fitore historike duke mposhtur Iskra me rezultatin 1:0 dhe për herë të parë në histori të klubit u kualifikua në finale të Kupës së Malit të Zi.

Për herë të parë në historinë 95-vjeçare, Deçiqi kualifikohet në finalen e Kupës së Malit të Zi dhe është shumë afër kualifikimit në kupat evropiane.

Në finale, skuadra nga Tuzi do të përballet me Buduqnostin, që tashmë ka siguruar titullin e kampionit. Buduqnosti i Podgoricës synon që për herë të parë t’i fitojë dy trofetë në një edicion. Ndërkohë Deçiqi kërkon triumfin e parë në Kupë. Ndeshja finale luhet më 1 qershor në Podgoricë.

Udhëheqësit e shtetit të pavaksinuar: Antitrupat si justifikim

Megjithëse autoritetet kohët e fundit kanë nisur fushatë për imunizimin masiv, si për shëndetin e popullatës ashtu edhe për një sezon të suksesshëm turistik, vetë udhëheqja e shtetit nuk u ka dhënë ende shembull qytetarëve siç kanë bërë udhëheqësit në vendet evropiane dhe rajonale.

As presidenti i shtetit Millo Gjukanoviq, as kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe as Kryetari i Kuvendit Alleksa Beçiq nuk kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit.

Vaksinimi masiv filloi të martën dhe qytetarët e Malit të Zi treguan përgjegjësi dhe vendosën një rekord në Evropë në proporcion me popullsinë – gati 10,000 persona u vaksinuan gjatë ditës së parë. Nga ana tjetër, udhëheqja e shtetit ka një arsyetim pse nuk është vaksinuar akoma, megjithëse ftojnë rregullisht qytetarët për imunizim. Ata justifikohen se kanë një numër të madh të antitrupave dhe për këtë arsye nuk janë vaksinuar deri tani.

Ish Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani në Shtëpinë Muze të Dedë Gjo Lulit

Ish Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani zhvilloi ditën e premte një vizitë në shtëpinë muze të Dedë Gjo Lulit në fshatin Bardhaj të Hotit-Komuna e Tuzit në kuadër të 110 vjetorit të kryengritjes së Malësisë në krye me Dedë Gjo Lulin më 6 prill 1911. Ish Presidenti Nishani vlerësoi figurën e atdhetarit Dedë Gjo Luli i cili ngriti flamurin shqiptar dhe nuk u dorëzua asnjëherë në duart e pushtuesve.

Ish Presidenti Nishani kërkoi që këto data të rëndësishme historike dhe këto personazhe që u flijuan për pavarësinë e Shqipërisë të vlerësohen dhe përkujtohen më shumë si dhe të ketë një vëmendje më të madhe edhe nga politika.

Nikollë Camaj, kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare vendosi theksin tek rëndësia e përcjelljes së historisë tek brezat ndërsa profesor Lulash Palushaj i vlerësuar me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” nga Presidenca kërkoi që 6 prillit të jetë festë kombëtare për Shqipërinë.

Vendkalimi kufitar Grabon – Cem i Trieshit do të hapet deri më 15 qershor

Rruga e re Podgoricë-Guci, përmes Shqipërisë më në fund mund të funkcionalizohet gjatë kësaj vere.

Janë kryer 99,5 % të punëve në pjesën e fundit nëpër kanjonin e Cemit, e në MPB presin që vendkalimi kufitar Shqipëri – Mali i Zi , Grabon – Cem i Trieshit do të hapet deri më 15 qershor 2021.

Në këtë  mënyrë rruga e deritashme nga Podgorica deri në Guci nëpër Platije, do të shkurtohet për 120 kilometra, gjegjësisht tani nga Podgorica deri ne Guci përmes Shqipërisë distanca do te jete vetëm  70km.

Deponia filloi procesin e ndërtimit të vaskës së katërt sanitare

Ndërmarrja ”Deponija” ka shpallur tenderin për zgjedhjen e kontraktorit i cili do të ndërtojë vaskën e katërt sanitare në deponinë “Livade” me vlerë 1,300,000 euro.

Procedura për zgjedhjen e kontraktorit u iniciua nga ”Deponija” në momentin kur para Gjukatës Kushtetuese është iniciativa e Kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj i cili kërkon të shqyrtohet ligjshmëria e Vendimit për miratimin e Projektit Urban “Deponia Sanitare me qendër riciklimi” që trajton këtë zonë.

Mbi iniciativën e Kryetarit të Komunë së Tuzit, Gjykata Kushtetuese nuk është deklaruar, ndërsa nga Kryeqyteti në përgjigje të kësaj iniciative gjyqësore deklaruen se hapësira e ndërmarrjes ”Deponija” gjatë ekzistencës së saj kurrë nuk i përkiste Komunës Urbane të Tuzit. Bashkimi i kësaj zone me Komunën e Tuzit do të ishte në kundërshtim me të gjithë faktorët përcaktues për ndryshimin e territorit të cilët janë të përshkruara me Ligjin për Organizimin Territorial – deklaruan nga Kryeqyteti.

Abazoviqi nuk i frikohet mafies

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq u shpreh në një intervistë për mediat e Serbisë se nuk ka frikë nga kërcënimet e mafies. Ai akuzoi kolegët nga shumica parlamentare, se po tregojnë një farë distance dhe frige për të hyrë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Unë mund të tingëlloj arrogant, por ndoshta kam të drejtë për këtë – mendoj se po mbaj kryqin më të rëndë që kur ndodhën ndryshimet, tha ai.

Abazoviq u shprehë se unaza e mbrojtjes rreth tij është rritur, nuk është tepër i lumtur për këtë dhe se nuk ka frikë, por vendosmëri, megjithëse nuk mund të vlerësoj se çfarë do të ndodhë në fund.

Diaspora e padëshirueshme

Qeveria po i dërgon një mesazh jodemokratik diasporës se është e padëshirueshme duke propozuar ndryshime në Ligjin për Regjistrin e Vendbanimit apo Vendqëndrimit dhe ndryshime në kriteret për marrjen e shtetësisë malazeze, tha deputeti i Listës Shqiptare Genci Nimanbegu, në një intervistë për “Pobjeda”. 

Nimanbegu gjithashtu vlerësoi se rezultatet e Qeverisë janë të padukshme, përveç kur bëhet fjalë për çorientimin në fusha të ndryshme.

Drejtoria e Policisë refuzon formimin e Degës së Sigurisë në Tuz

Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Zoran Brgjanin, hodhi poshtë iniciativën e Kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, për krijimin e Repartit të Sigurisë në Tuz, i cili do të ishte një njësi organizative brenda Qendrës së Sigurise së Podgoricë.

Gjeloshaj deklaroi se diskriminimi në bazë të përkatësisë etnike vazhdon për Komunën e Tuzit. Nëse këtë gjë do ta kishte kërkuar Zhablaku, Danilovgradi ose ndonjë qytet tjetër, do të ishte realizuar. Meqenëse në Tuz jetojnë shqiptarët, Drejtoria e Policisë refuzoi kërkesën tonë, tha Gjeloshaj.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!