”Dora e parë”, përmbledhje publicistike e autorit të ri, Kristjan Gj. Dukaj

Këtyre ditëve, doli nga shtypi libri me përmbledhje publicistike “Dora e parë”, nga autori, publicisti i ri nga Malësia, Kristjan Gj. Dukaj.

Libri është shtypur në shtypshkronjë “FIORENTIA”, në Shkodër dhe është përmbledhje e shkrimeve autoriale të publikuara në gazeta, revista dhe portale të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, nga autori i ri, Kristjan Dukaj, i cili tashmë është emër i njohur në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare.

Në këtë përmbledhje janë përfshirë disa nga punimet e tij në një cikël kohor duke filluar nga shkolla e mesme dhe deri më sot. Ai, me vështrimet e veta më së shpeshti ka tërhequr vërejtjen në fenomene të shumta shoqërore dhe dukuri të ndryshme të kohës e të cilat kërkojnë reagimin, sidomos, të strukturave të organizuara të shoqërisë në të mirë të përgjithshme.

Autori, po ashtu, vlerëson angazhimin dhe kontributin e shoqatave dhe individëve të cilët me veprimet e veta janë shembull i afirmimit të vlerave më të bukura të bamirësisë dhe kultivimit të tyre në brezat e rinj. Siç shkruan edhe publicisti dhe shkrimtari i njohur Zef Pergega, në parathënien e këtij libri: “Kristjani e ka kurdisur zemrekun e zemrës së vet të punojë që parmenda e aspiratës malësore të jetë dija, arsimimi për të mbajtur të gjitha forcat për prosperitetin e shëndetit të Malësisë dhe kombit shqiptar.

Në tufën e shkrimeve publicistike që po del para lexuesit, Kristjani është një i ri dinjitoz, që premton mbasi ai vlerëson çdo ide përparimtare e humane të personazheve të tij…” Edhe krahas obligimeve në studimet master, në Universitetin e Sarajevës, Kristjani, nuk e harron pasionin e tij për shkruar duke përcjellur me kujdes rrjedhat aktuale në lëmi të shumta të shoqërisë. Ai, me shkrimet e veta, në veçanti u është mirënjohës bashkëvendësve të vet që jetojnë në mërgim, për ndihmesën e madhe për vendlindjen dhe të afërmit e tyre, sidomos në shkollimin e gjeneratave të reja nga këto hapësira.

Urojmë që së shpejti, autori të na gëzoj edhe me vepra tjera, jo vetëm nga publicistika por edhe të krijimtarisë poetike që e donë aq shumë.

Shperndaje