Cakaj nga Presheva: Lugina e Preshevës një prej prioriteteve kryesore të qeverisë shqiptare

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se nuk preferon të flasë për bashkim kombëtar të shqiptarëve të Luginës, pasi që sipas tij, kjo çështje i takon Kosovës.

Ai tha se këtë nuk do ta bënte as për një grusht votash duke theksuar se prioritet ka bashkëpunimin brendakombëtar, punë për të cilën thotë se është krenar që prejse mori detyrën në Shqipëri.

Cakaj në një intervistë në Info Magazine ka thënë që gjatë mandatit të tij, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është prioritet.

“Është një ndjesi e veçantë dhe ende konsideroj se kam për të parë në Preshevë. Do qëndroj edhe dy ditë dhe do të kem takime edhe me shoqërinë civile. Fakti që jam për herë të parë në Preshevë, nuk do të thotë që nuk jam marrë më herët me këtë çështje. Lugina e Preshevës ka qenë një prej prioriteteve kryesore”, është shprehur Cakaj.

Kryediplomati shqiptar ka thënë që do të takohet edhe me përfaqësuesit politikë të Luginës, derisa ka theksuar se qeveria shqiptare i do të bashkuar shqiptarët e Luginës.

“Gjatë këtyre ditëve, do të kem takime me investitorë të huaj që kanë ardhur. Jemi këtu për të shtrirë dorën e mbështetjes në Luginën e Preshevës dhe për t’i treguar që jemi me ta dhe pranë tyre”.

“Nevojat e shqiptarëve në Preshevë janë të mëdha. Janë një grup i shtypur dhe këtë duhet thënë zëshëm”.

Cakaj ka theksuar se një nga arritjet më të mëdha është marrëveshja e partive shqiptare, të cilët do të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

“Kam pasë komunikim me të gjithë spektrin politik. Është prej të arriturave më domethënëse, që për herë të parë kemi krijuar një koalicion të partive shqiptare që do të flasin zëshëm karshi Serbisë”.

Cakaj në një intervistë ekskluzive në Info Magazine tha se ndjehet krenar edhe për bashkëpunimet me Kosovën që ka realizuar së fundi.

“Kam nënshkruar me Pacollin marrëveshjen për bashkëpunim politik me Kosovën. Kemi hapur konsullatën e përbashkët në Cranberra të Australisë. Ish-ministrit Glauk Konjufcës ia kam propozuar tre hapësira të ambasadës nëpër botë ku Kosova mund të vijë në momentin kur vendosin. E njëjta vlen për ministren aktuale, Meliza Haradinajn dhe kur të vendosë Kosova duhet ta zbatojmë”.

“Po ashtu, në Ulqin dhe në Strugë kemi konsullatat e përbashkëta për të kryer detyrat tonë si shtet qendror i shqiptarëve në rajon. Në kuadër të paradigmës që kam prezantuar kam bërë më të mirën. Mos pritni nga unë të flas për bashkim kombëtar dhe kur të vij në pushtet të bëj diçka tjetër”.

Shperndaje