Nënshkruhet marrëveshja: Nuk ka ndryshim të simboleve shtetërore, nuk ka tërheqje të njohjes së Kosovës

Liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht, në një konferencë për medie sot kanë prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi.

Marrëveshja e cila është nënshkruar nga liderët e koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë” e Zdravko Krivokapiqit, Aleksa Beçiqit dhe Sritan Avazoviqit, kanë deklaruar që Qeveria e re e Malit të Zi:

Në mënyrë të përgjegjshme do të zbatojë të gjitha obligimet ndërkombëtare që i ka marrë mbi vete shteti, do të forcojë bashkëpunimin me NATO-n dhe me përkushtim do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Do t’i depolitizojë plotësisht institucionet kyçe qeveritare, me qëllim të luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Do të respektojë Kushtetutën e Malit të Zi dhe nuk do të nisë nisma që kanë për qëllim ndryshimin e flamurit, stemës dhe himnit të shtetit.

Nuk do të nis procedurë për tërheqjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës;
Nuk do të hakmerret mbi baza politike apo çfarëdo baze tjetër.

Do të miratojë dhe rishikojë të gjitha ligjet në përputhje me standardet evropiane, me qëllim të integrimit sa më të shpejtë të Malit të Zi në BE.
Do t’u mundësojë partive të pakicave pjesëmarrjen në qeveri, pavarësisht se a kanë apo jo status parlamentar.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!