Donald Trump president i ri i SHBA-së – BE dhe Putin i urojnë fitoren (Video)

Kandidati republikan, Donald Trump është zgjedhur president i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka arritur të sigurojë 270 votat e nevojshme elektorale.

Miliarderi amerikan ka mundur me diferencë rivalen e tij Hillary Clinton, duke fituar edhe në bastione të demokratëve.

Vetë Hillary Clinton ka telefonuar presidentin e zgjedhur të SHBA dhe e ka uruar atë për fitoren.

“Sapo mora një telefonatë nga Hillary Clinton dhe ajo na përgëzoi të gjithëve për fitoren tonë. Unë e falenderova atë për fushatën elektorale të ashpër që zhvilluam bashkë. Hillary ka punuar gjatë dhe i shpreh mirënjohjen për atë që ka bërë për vendin tonë. Është koha që Amerika të shërojë plagët e përçarjes dhe republikanët dhe demokratët përgjatë vendit të bëhën bashkë si një komb i bashkuar”, nisi fjalën e tij Trump.

Ndryshe nga fushata, që u shoqërua me deklarata kontraverse të tij, në fjalimin e parë si President i zgjedhur, Trump përcolli mesazhe bashkimi.

“Unë do të jem President i gjithë amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Premtoj të punoj edhe me ata që nuk më mbështetën për të bashkuar vendin tonë të madh. Fushata jonë ishte një lëvizje e madhe, nga njerëz që duan një vend më të mirë për veten, familjen. Është një lëvizje që përfshin të gjitha racat, gjinitë, fetë për ta bërë Amerikën të madhe sërish”, tha ai.

Trump është Presidenti i 45-të i SHBA-së, postin e të parit të shtetit më të fortë në glob zyrtarisht do të marrë më 20 janar, kur edhe do të inaugurohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Video: Kush është Donald Trump

Putini ia uron fitoren Trumpit

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve.

“Putini shpreson për punë të përbashkët në përmirësimin e marrëdhënieve ruse-amerikane nga periudha e krizës dhe së bashku të adresojnë problemet të ndryshme ndërkombëtare dhe të gjejnë përgjigje efektive ndaj sfidave që kërcënojnë sigurinë globale”, thuhej në njoftimin e Kremlinit.

Putini gjithashtu ka kërkuar bisedime konstruktive mes Moskës dhe Washingtonit që do të shërbenin në interesin e të dyja vendeve.

BE uron Trump: Të forcojmë marrëdhëniet transatlantike

Image result for Donald Tusk

Europa ka uruar Donald Trump për fitoren, duke e ftuar në samitin për marrëdhëniet BE-SHBA, për 4 vitet e ardhshme.

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i kanë dërguar një letër urimi Trump, ku shprehen se sot më shumë se kurrë, duhen forcuar marrëdhëniet transatlantike.

“Vetëm duke punuar ngushtë BE dhe SHBA mund të vazhdojnë të bëjnë ndryshime kur diskutohet për sfidat e paprecedenta si Daesh, kërcënimet në sovranitetin e Ukrainësd dhe integritetin territorial, ndryshimet klimaterike dhe emigrimi”, thuhet në letrën e BE.

Më tej thuhet se duhen konsoliduar urat që janë ndërtuar përmes Atlantikut. “Europianët besojnë se Amerika, idealet demokratike të së cilës kanë qënë pikë referimi në të gjithë globin, do të vazhdojë të investojë në marrëdhëniet me miqtë dhe aleancat, për të ndihmuar që qytetarët dhe njerëzit në botë të jenë më të sigurtë dhe me prosperitet”, vijon letra.

Kryeministri hungarez: Lajm i mrekullueshëm, demokracia është ende gjallë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka uruar kandidatin republikan Donald Trump si presidenti i ri i SHBA-ve, duke shtuar se “demokracia është ende gjallë”.

“Është një lajm i mrekullueshëm. Demokracia është ende gjallë”, ka shkruar Orban.Orban tha në korrik se planet e Trump-it mbi migracionin dhe politikën e jashtme janë shumë të rëndësishme për Hungarinë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!