Ministri Darmanoviq takim me Bushatin – U fol edhe për krijimin e komunës së Tuzit

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq në vizitën e parë zyrtare nga marrja e detyrës qëndroi në Shqipëri, ku në Tiranë është takuar me homologun shqiptar Ditmir Bushati, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe.

Në fjalën e tij, ministri Bushati ka vlerësuar se, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe mund të shërbejnë si eksperiencë edhe për marrëdhënie me shtete të tjera në Ballkan.“Kemi diskutuar për fuqizimin e marrëdhënieve sepse është në interesin e dy qeverive tona për t’i dhënë fuqi këtij zhvillimi, sidomos për modernizimin e pikave kufitare”, ka thënë Bushati.

Gjithashtu, në fokus të diskutimeve, sipas shefit të diplomacisë shqiptare, ka qenë edhe bashkëpunimi brenda suazës së NATO-s. Nga ana e tij, ministri Darmanoviq ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen në procesin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe sikurse Bushati është shprehur i gatshëm për avancimin e marrëdhënieve reciproke.

“Vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë për në NATO. Anëtarësimi është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Jam i kënaqur të them se ne po i avancojmë marrëdhëniet”, ka thënë Darmanoviq. Në lidhje me demarkacionin e kufirit Mali i Zi- Kosovë, ai ka deklaruar se kjo çështje nuk përbën problem për Malin e Zi, është një problem i brendshëm i Kosovës.

Në takim me homologun e tij malazez, Bushati ka prekur dhe çështjen e pazgjidhur mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, atë të përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve.“Ne kemi marrë një propozim nga Mali i Zi për t’u përfshirë në këtë proces dhe jemi të gatshëm që në kohë të përshtatshme të ulemi dhe të fillojmë diskutimet në mënyrë që kjo çështje të adresohet”, deklaroi Bushati.

Gjatë kësaj vizite të kryediplomatit malazez në Tiranë u fol edhe për krijimin e komunës së Tuzit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.

“Përshëndesim koalicionin qeverisës në Malin e Zi dhe platformën qeverisëse, pasi është në mbështetje të shqiptarëve të Malit të Zi”, ka thënë kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati/Malësia.ME/

Shperndaje
1 Comment
error: Të drejtat e rezervuara !!