Kryetari i Partisë Demokratike shqiptare, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Kosovë ka qenë i pranishëm në mjediset e Kuvendit, kur deputetët e opozitës po hidhnin gaz lotsjellës gjatë seancës plenare.
Pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, i pyetur nga gazetarët nëse një situatë e tillë mund të ndodhë edhe në Shqipëri, pasi opozita ka marrë shembullin e hedhjes së vezëve nga opozita kosovare, Basha tha se hedhja e gazit lotsjellës nuk ka vend në Parlament.
“Jo, nuk do ta marrim si model gazin dhe nuk mendoj se gazi është model për Parlamentin. Parlamenti ka dinamikën e vet dhe në Shqipëri, dinamika përcaktohet nga qëndrimet që ka Qeveria karshi shtetit ligjor, Kushtetutës, zbatimit të saj, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë edhe kërkesat e opozitës”, tha Lulzim Basha, kryetar i PD-së.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Bashën
Në një kominikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se dy zyrtarët kanë biseduar për zhvillimet e përgjithshme në dy vendet, si dhe për bashkëpunimin midis tyre.
“Kryeministri Mustafa e falënderoi Republikën e Shqipërisë dhe të gjithë faktorët institucionalë, politikë dhe shoqërorë të saj për përkrahjen dhe bashkëpunimin, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur konsideratat e tij maksimale për lidershipin dhe konsistencën e Qeverisë së Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore.
Kryetari Basha, po ashtu, shprehu përkrahjen dhe përkushtimin për proceset e mëtejshme në Kosovë si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Basha: Vetëvendosje është pasuri kombëtare
Basha gjatë qëndrimit në Kosovë është takuar edhe me kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Basha, sipas komunikatës së VV-së, ka thënë se Vetëvendosje përfaqëson një pasuri kombëtare dhe se kanë biseduar për sfidat e përbashkëta me Shqipërinë, transmeton Koha.net. Basha më heret sot ishte takuar edhe me Kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin i cili është nga rradhët e Vetëvendosjes.