Disfata e shumicës në luftën kundër profesionalizimit të administratës

Shkruan: Ilir Çapuni

Mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit e mbajtur më 8 prill 2021 duhet të mbahet mend si një ditë kthese në jetën politikë në qytet. Këshilltarët nuk votuan shkarkimin politik të sekretarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit Ardit Ceka edhe pse, kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit Haxhi Sulejmanit, i ka ardhur urdhëri nga koalicioni i ri udhëheqës, për ta shkarkuar sekretarin dhe për këtë tregoi vendosmëri. Propozuesi i shkarkimit thurrte lëvdata për personalitetin dhe veprimtarinë e sekretarit, por e potenconte që politika kështu e ka, „sot je, e nesër nuk je”. 

Fatmirësisht, skenari i shkarkimit politik dështoi! 

Sekretari i Kuvendit, sipas ligjit emërohet me konkurs për afat pesëvjeçar. Nuk i lidhet mandati me kryetarin e Kuvendit e as me këshilltarët. Kështu e ka paraparë ligji. Ai shkarkohet nëse janë konstatuar shkeljet në punë. Normalisht që ky jurist i thekur, nuk ka lënë shkelje pas vetesdhe arsye ligjore për shkarkim nuk ka. Kurse në emërimin e tij, anëtar komisioni ka qenë një profesor nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Malit të Zi dhe e ka notuar mu sikur që e kanë notuar edhe profesorët e vet më parë — me nota maksimale.  

Lajmi i parë i mirë erdhi nga Këshilli për Zgjedhje dhe Emërime i cili u shpreh se nuk ka kapacitet dhe njohuri të domosdoshme të cilat të shpiejnë në sjelljen e vendimit për shkarkim i cili duhet të ketë arsyet e shkarkimit të numëruara sipas ligjit. Normalisht, çdo shkarkim i jashtëligjshëm, pa marrë parasysh votat, i shkakton dëm buxhetit të Komunës e çdo dëm shkakton edhe pasoja penale për propozuesin. Edhe kjo nuk e ndali këmbënguljen e propozuesit dhe debati për këtë pikë të rendit të ditës u hap. Propozuesi përsëri u shpreh „se politika vendos që sot je, e nesër nuk je”. E morri fjalën edhe Arditi vetë i cili i falendëroi secilin këshilltar për bashkëpunim pa marrë parasysh se si do të votojë për shkarkimin e tij. Në dy minuta, e vërtetoi edhe një herë se çka ka bërë gjatë kohës në këtë post dhe si ka punuar dhe pse një nëpunës si ai i duhet Komunës. 

Arditi është modeli i një juristi të përkushtuar, nëpunës model me të cilët administrata e Ulqinit mund të ecë përpara. Është nga juristët e pakët në qytet që ka mbetur në kujtesën e profesorëve eminentë të universitetit të vet dhe është i vetmi nga 3 sekretarët që në vitin 2016 u largua vetë nga posti kur Ministria konstatoi që sekretarët Aleksandar Daboviq, Samir Tafili, Arian Lamoviq dhe Ardit Ceka nuk i plotësojnë kushtet për të mbajtur ato pozita. Janë parimet bindëse me të cilat ky njeri gjatë punës së vet ia ka çliruar krahët këshilltarëvë për të votuar kundër shkarkimit të tij.  Numrat për shkarkim munguan. Si asnjëherë më parë, u rinumëruan votat tri herë. Votat munguan sepse nuk mungoi përgjegshmëria, dinjiteti i këshiltarit dhe statura e sekretarit. 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!