Tensionet në kufirin Kosovë – Mali i Zi, bllokohet pika kufitare në kullë

Banorët e fshatit Llukë e Epërme dhe përfaqësuesit e fshatrave tjera të vijës kufitare me Malin e Zi, që pretendojnë se i kanë pronat dhe bjeshkët e tyre te Kulla e Zhlepit, sot, përderisa ishin duke shkuar për të vizituar bjeshkën dhe, siç thonë ata, varrezat e të parëve, janë ndaluar “në mënyrë arbitrare nga forcat të shumta policore të Malit të Zi”.

Së bashku me ta kishin qenë edhe deputetet e AAK-së, Time Kadrijaj dhe Teuta Haxhiu.

Kadrijaj në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se forcat e njësisë speciale malazeze kanë ndaluar banorët gjë që ka shkaktuar revoltë tek ta.

Ende pa u miratuar marrëveshja me Demarkacionin, policia malazeze veç se ka filluar operimin e saj në territorin e Kosovës. Si pasojë e ndalesës nga policia malazeze qytetarët janë revoltuar dhe kanë bllokuar rrugën me orë të tëra në shenjë pakënaqësie”, ka thënë Kadrijaj.

Këtë ndalesë, qytetarët e këtyre fshatrave e quajnë të padrejtë, pasi që thonë se ishte 5 km në thellësi të territorit të Kosovës, ani pse marrëveshja ende nuk është ratifikuar.

“Ne në shenjë proteste bllokuam rrugën kryesore për orë të tëra, shprehëm pakënaqësinë tonë për gabimin e madh të Komisionit Qeveritar, të Presidentit Thaçi, të Kryeministrit Mustafa, dhe në mënyrë kolektive i bëjmë thirrje deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës të të gjitha subjekteve politike që të mos e ratifikojnë marrëveshjen dhe ta bashkojnë votën kundër demarkacionit”, thuhet në komunikatën njoftuese të banorëve të fshatit Llukë e Epërme dhe të fshatrave tjera të vijës kufitare me Malin e Zi.

Ata kanë theksuar se nuk do të pajtohen me marrëveshjen dhe se nuk do të ketë stabilitet e pajtueshmëri qytetare duke shtuar se veprimet e tyre do të radikalizohen./telegrafi/

unnamed (2)

Shperndaje