Dilemat dhe pritjet e votusve shqiptarë

Shkruan
Kristjan Gj. Dukaj
( politikolog )

Fushata parazgjedhore tashmë është duke hyrë në fazën e sajë përfundimtare e që, vetvetiu, është gjithnjë e më intensive. Subjektet pjesëmarrëse përmes listave të verifikuara zgjedhore nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, tentojnë të përfitojnë besimin e zgjedhësve sa për të fituar ndonjë mandat më tepër. Edhe pse në këto hapësira të trazuara të rajonit,  fushatat  zgjedhore janë mjaft të tensionuara, me një fjalor, më së shpeshti,  të palezetshëm me qëllim të diskreditimit  sa më të thellë të kundërshtarëve politik, prapëseprapë, rrjedha e deritashme e fushatës zgjedhore mund të vlerësohet brenda kufijve të tolerancës, të kuptueshme si propagandë parazgjedhore.  Përveç  disa strukturave politike të cilat ende “veprojnë” në periudhën e viteve të nëntëdhjeta të fazës së shpërbërjes së shtetit të përbashkët jugosllav dhe aspiratave të mëdha shtetërore por  e që forca e politike e tyre është gjithnjë e më e padukshme. Andaj, zgjedhësit mund të mendojnë dhe të analizojnë peshën e së cilës  listë zgjedhore  në mënyrë më të qetë. Mirëpo, ajo që është objekt i interesimit  të  në këto hapësira, pa dyshim, është pjesëmarrja e subjekteve nacionale shqiptare në zgjedhjet e 16 tetorit.

Edhe pse pritjet e zgjedhësve shqiptar ishin krejtësisht ndryshe, drejtë formimit të një liste unike zgjedhore, kjo nuk ndodhi por ata do të jenë të detyruar, mes tjerash,  të zgjedhin njërën nga tri listat zgjedhore të formuara nga nëntë subjekte politike nacionale shqiptare.  Dëshirat e  shprehura, publikisht ose përmes kontakteve të drejtpërdrejta, për unifikimin e spektrit politik shqiptar, më së shpeshti janë pritur në “majë të thikës”  nga politikëbërësit shqiptar,  si diçka që “nuk i shkon” në favor kësaj çështje e kështu me radhë, edhe pse të gjithë ata deklarativisht janë shprehur të gatshëm për daljen e përbashkët në këto zgjedhje, prapëseprapë kjo nuk ka ndodhur.  Por, nëse i referohemi rezultatit  nga zgjedhjet parlamentare të  vitit 2012, është e qartë se lidershipi politik shqiptar në Mal të Zi, nuk dëshiron të veproj në favor të materializimit të votës së elektoratit shqiptar në këto treva.

Katër lista zgjedhore nacionale shqiptare nga zgjedhjet e vitit 2012, fituan diçka më tepër se 12 mijë vota  por ato  fituan vetëm dy mandate  deputeti në Parlamentin shtetëror të Malit të Zi.  Ata, asnjëherë nuk i kërkuan ndjesë votuesve për derdhjen e votave  si pasojë e mosveprimit të përbashkët, përmes një  liste unike të subjekteve nacionale shqiptare e që kishte rezultuar, së paku, edhe më një mandat deputeti në Parlament. Kjo pastaj kishte mundësuar formimin e Klubit të deputetëve të partive nacionale shqiptare në Kuvend,  e kështu me radhë. Nuk është e tepër të rikujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare ( 2012), UDSH, ka fituar 2.848 vota dhe nuk arriti të hyjë në Parlament.  Pikërisht,  këto fakte e dëshmojnë më së miri  nevojën e daljes së përbashkët në zgjedhje pasi është e qartë sa e dëmshme është  derdhja kaq e madhe e votave brenda trupit zgjedhor në vendvotimet shqiptare. Në vend të mbështetjes së dëshirave për unifikimin e spektrit politik shqiptar, iniciativat e këtilla, më së shpeshti, sulmohen nga ata që do të duhej t’i përkrahin të parët ato. Këto janë fakte  nga përvoja në zgjedhjet e deritashme e të cilat është dashtë të analizohen mirë e gjerë për të mos përsëritur  të njëjtat veprime ( gabime). Ata që mendojnë dhe dëshirojnë  në këtë mënyrë, i akuzojnë se gjoja nuk na qenkan në vijë të njëjtë politike, se nuk i dinë gjërat… etj. Por, koha është gjykatësi më i mirë jo vetëm për veprimet e secilit, sidomos të atyre që veprojnë në emër të votës, por edhe për shkrimet dhe reagimet e secilit  që në momente  të caktuara nuk pajtohet me individin duke anashkaluar çështje me interes të përgjithshëm.  Në veçanti, nga ata që, së paku , deklarativisht,   mbështesin  të drejtën në mendimin e lirë të shprehur publikisht. Fushatat parazgjedhore janë, vetvetiu, interesante  pasi  ato kanë ( duhet të kenë) një  rrjedhë joshëse për zgjedhësit përmes ofertave të reja politike, me programe të hartuara në interes të zgjedhësve, me vizione të qarta për të ardhmen, e kështu me radhë. Kështu, kemi të njëjtit individ –lider, dëgjojmë të njëjtat fjalime dhe mesazhe drejtuar zgjedhësve  dhe ajo që është edhe më  e theksuar, në vend të afirmimit të vetë subjekteve politike, punës së përbashkët dhe programeve zgjedhore, për shumicën e tyre në plan të parë janë emrat e liderëve politik dhe bartësve të Listave zgjedhore si veti  të njohura të liderizmit politik. Vizioni i qartë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara dhe përkushtimi në angazhimin maksimal për  plotësimin e kërkesave dhe nevojave gjithnjë e më të mëdha të banorëve, janë ato që intrigojnë më së  forti zgjedhësit e që orientojnë vullnetin e tyre për dhënien e votës. Në të kundërtën, sdo mend se pjesëmarrja e përbashkët e subjekteve nacionale shqiptare përmes një Liste zgjedhore, e kishte lehtësuar  dhe, ajo që është më e rëndësishme, e kishte rikthyer besimin e votuesve  drejt programeve të tilla zgjedhore.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!