Shkruan, Gjokë DUKAJ
Malësi e Madhe
Fjala e lirë, mendimi dhe qëndrimi i shprehur lirisht, janë njëra ndër të arriturat e arta të civilizimit njerëzorë, andaj të rreshtohesh krahë kësaj të arritura është shërbim i madh për kombin të cilit i shërben. Ekzistimi i portalit ALBDreams, puna dhe sakrifica e gjatë në shërbim të fjalës së lirë, në shërbim të komunitetit shqiptarë kudo në botë, është një dhuratë e çmuar nga themeluesi, z. Rush Dragu, bashkëkombësit tonë i cili jeton dhe punon në mërgim.
Vite më parë, u njoha me disa nga shkrimet e postuara nga emra të njohur të publicistikës dhe të letrave në shqip e për të cilët kisha lexuar dhe dëgjuar nga media tjera por që ata, nuk kishin hezituar të prezantohen qoftë edhe me një pjesë të punës së vet në ALBDreams, duke parashtruar çështje nga më të ndryshmet nga hapësira mbarë-shqiptare si dhe radhët e bashkëkombësve tonë që jetojnë në mërgim. Gatishmëria e stafit drejtues që të jenë të hapur për mendime dhe qëndrime të ndryshme ishte e pëlqyeshme, sidomos, për njerëzit e medias të cilët, duke shfrytëzuar këtë mundësi, ishin gjithnjë e më aktiv në përditësimin e temave dhe shkrimeve të ndryshme, në interesin më të gjerë të bashkëkombësve kudo.
Si rrjedhojë e gjithë kësaj, sot, ALBDreams, është dritare e hapur për emra të spikatur të cilët përmes veprimtarisë së vetë publike, jo vetëm që pasurojnë arkivin e këtij portali, por kanë mundësuar lëvizjen e informacioneve në kohë reale për lexuesit gjithnjë e më shumë të ALBDreams. Ajo që duhet veçuar e që ndoshta e dallon ALBDreams nga shumë media tjera, sidomos lokale, është dhënia e hapësirës pa rezervë të gjithë të arriturave dhe vlerave të çfarëdo natyre qofshin ato, pavarësisht simpatisë ose jo, ndaj individëve pjesëtarë të komunitetit shqiptarë, ngado që vijnë ata. Për fat të keq, jo rrallë jemi dëshmitarë kur ndonjëri nga media që pretendojnë se kanë kapur “maja të larta”, i trajton krijues, ngjarje apo dukuri, varësisht nga simpatia ndaj tyre e jo të njoftojnë për të arriturat dhe vlerat e krijuara. Pikërisht, kjo ishte edhe nga arsyet kryesore që, sidomos, shumë emra të rinj janë paraqitur me shkrimet e veta në ALBDreams. Në këtë përvjetor të rëndësishëm , duke përgëzuar stafin drejtues, uroj që mediat e këtilla të vazhdojnë misionin e vet të shenjtë në funksion të informimit , si kronistë i denjë i kohës, duke u dhënë përjetësinë individëve, ngjarjeve dhe fenomeneve të kohës. I nderuar themelues, bashkëvëllai ynë z. R. Dragu, familjarisht, Ju jemi mirënjohës për hapësirën e dhënë shkrimeve, punës dhe veprimtarisë sonë ç’gjë do të vazhdojmë edhe në të ardhmen.