Federata 3 milion € premio Kombëtares 102 mijë euro për çdo lojtarë

Arritja e kuqezinjve në Evropian ishte diçka e rrallë që meritonte gjithashtu edhe një shpërblim të majmë.
Pas triumfit në Jerevan, ishin eksponentët e lartë të institucionit të futbollit në vend që konfirmuan se kualifikimi do të shoqërohej me një shpërblim të konsiderueshëm.

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar edhe vendimin e plotë të Komitetit Ekzekutiv në lidhje me përllogaritjen e shpërblimit për ekipin kombëtar, si dhe shumën përfundimtare që do të ndajnë heronjtë kuqezinj për arritjen në Francë.

Federata ka shtuar premion në afërsisht 3 milionë euro, ndryshe nga sa ishte mësuar më parë që u deklarua se shpërblimi do të ishte 2 milionë euro.

Bëhet fjalë për një përllogaritje të 23 futbollistëve, aq sa është numri i ekipit të federuar edhe për në kompeticionin e rëndësishëm. Shuma që i korrespondon çdo lojtari është 102 mijë euro.

Është kapiteni i Kombëtares Cana dhe disa përfaqësues të ekipit që do të bëjnë edhe ndarjen e kësaj shume.Në bazë të kontributit që ka dhënë çdo futbollit, do të ketë edhe një përllogaritje për të saktësuar shumën që i takon çdo futbollisti si shpërblim për arritjen me Kombëtaren.De Biazi, ka deklaruar në përfundim të kualifikueseve që kanë qenë 32 futbollistë që kanë marrë pjesë në këtë rrugëtim dhe tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë përqindja që do të korrespondojë për secilin prej tyre.

Tashmë është detyrë e kapitenit të Kombëtares dhe “komisionit” të brendshëm të skuadrës që do të krijohet për të bërë edhe llogaritjet e duhura, në mënyrë që të bëjnë të mundur shpërndarjen e kësaj shume. Është detyrë e këtij “komisioni” që të përpilojë edhe listën përfundimtare të shumës që i takon çdo futbollisti, për ta paraqitur më pas në Komitetin Ekzekutiv pranë institucionit të futbollit.

Më pas, ky i fundit do të miratojë këtë listë dhe do të urdhërojë shpërndarjen e shumës së parave për secilin lojtar në llogarinë bankare përkatëse.

Përveç shumës që do të jepet si shpërblim nga federata, ishte edhe kreu i qeverisë shqiptare që premtoi një milion euro shpërblim për kuqezinjtë, por deri tani nuk është njoftuar ende asgjë në lidhje me këtë shpërblim.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!