Kryediplomati Darmanoviq u takua me Nishanin dhe Metën

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, dje është takuar edhe me Presidentin Bujar Nishani dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë bëhet e ditur se Nishani gjatë takimit me kreun e diplomacisë malazeze vlerësoi bashkëpunimin dhe raportet midis dy vendeve, duke i konsideruar ato si një model i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

“Nishani dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Darmanoviq, ndanë mendimin se të dy vendet duhet të flasin me një zë kur bëhet fjalë për projekte të përbashkëta të rëndësishme zhvillimore dhe konkrete në fushën e mjedisit, turizmit, infrastrukturës rrugore, etj. Presidenti Nishani vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Mal të Zi si kontribuues në zhvillimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor si dhe në mbështetje të proceseve integruese në vendin fqinj dhe rikonfirmoi rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje si strategjike për tërë rajonin.

“Meta u shpreh se si Shqipëria ashtu edhe Mali i Zi kanë një destinacion të përbashkët dhe theksoi se stabiliteti i Malit të Zi është stabiliteti ynë dhe i shërben mbarëvajtjes së paqes në tërë rajonin e Ballkanit, ku të gjithë vendet duhet të punojnë më ngushtë me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë ministri Darmanoviq shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe vlerësoi rolin e Metës në shërbim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe në interes të avancimit të perspektivës euro-atlantike të të dy vendeve fqinje. Në këtë kuadër vlerësoi ratifikimin e menjëhershëm të protokollit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO nga ana e Kuvendit të Shqipërisë gjatë muajit qershor 2016.

Në fillim të vizitës së tij në Shqipëri, ministri Darmanoviç u takua me homologun shqiptar, Ditmir Bushati./Malësia.ME/

Anton-GjokajAutor:Anton Gjokaj

 

Ministri Darmanoviq takim me Bushatin – U fol edhe për krijimin e komunës së Tuzit

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!