Malësia -treva që po shuhet..

Kristjan Dukaj,

“Nuk kërkova një jetë më të mirë, por kërkova liri” kështu fillon artikulli në AlJazeera Balkans, që ka të bëjë me emigrimin e të rinjve nga Ballkani. Shkollimi i të rinjve nga trevat tona nëpër qendra të njohura universitare, çdo ditë rritet. Angazhimi i tyre për të përfunduar shkollimin dhe për të qenë sa më të përgatitur për punë, është mjaft i kënaqur, pasi që një gjë të tillë e them nga eksperienca personale dhe nga kontaktet e përditshme me studentë. Shkollimi i lartë universitar sot, është bërë mjaft i shtrenjtë, ku madje shumë të rinj për çështje ekonomike detyrohen ti ndërpresim studimet ose mos ti fillojnë ato. Gjendja e dobët ekonomike, papunësia si dhe jeta e shtrenjtë në këto hapësira, detyrojnë qindra të rinj të largohen nëpër vende të ndryshme të botës për një status më të mirë.

Mirëpo, fenomeni i viteve 80ta, të emigrimit të qindra të rinjve nga Malësia, duket se po kthehet në mënyrë më intenzive dhe më me dhimbje. Të shkolluar, por të papunë dhe pa një të ardhme, të rinjët nga Malësia po largohen çdo ditë e më shumë, me qëllim që në një vend larg nga Malësia të gjejnë një jetë më të mirë dhe më të lehtë. Angazhimi disa vjeçar nëpër qendra universitare dhe shpenzimet e mëdha duket që nuk po hasin në ndonjë zgjidhje në këtë vend. Malësia, si një qendër e vogël me afro 15.000 banorë, rrezikon që mbas disa viteve të mbetet e shkretë. Pakënaqësia e të rinjëve është e dukshme, duke filluar nga gjendja ekonomike, politike si dhe tek ajo shoqërore. Një hulumtim i para disa muajve tregoji që një fenomen që po detyron të rinjët të largohen, nuk është vetëm gjendja ekonomike, por edhe shoqëria në përgjithësi. Mos vlerësimi nga shoqëria dhe devijimi i vlerave, detyron të rinjët të zhgënjehen dhe të marrin rrugët pa kthim. Përsëri këtu ndërlidhem me eksperiencën personale dhe bisedat e përditshme me të rinjët nga këto hapësira. Unë fillova të angazhohem në gazetari që në vitin 2006 duke e avancuar atë çdo ditë. Që disa vite kam filluar të kyçem në jetën politike, duke parë më qartë gjendjen e rëndë shoqërore dhe gabimet katastrofale të atyre që udhëheqin politikën në këtë vend. Mirëpo, mbas shumë reagimeve të mia, shkrimeve dhe intervistave nëpër media të shumta, në vitin 2016 u sulmova në qendër të Podgoricës. Mbas kësaj isha i detyruar të qëndroj larg disa kohë, ku u zhvendosa në Sarajevë dhe njëkohësisht fillova studimet master. Mbas disa kohe pushim, fillova prapë me shkrime dhe me reagime të ndryshme, ku fillova të marr kërcënime të ndryshme që vunë jetën time në rrezik. Për të gjitha këto, informuan edhe mediat më prestigjoze në Mal të Zi, si Radio Televizioni i Malit të Zi, Tv PINK, portale të shumta etj. “Koha javore” në vitin 2016 bëri një shkrim të gjatë dhe të qartë për sulmet ndaj meje, ndërsa disa media tjera në gjuhën shqipe ende heshtin. Miq të shumtë dhe dashamir të së mirës në Malësi, më kanë sugjeruar që të qëndroj larg kësaj, të shikoj i qetë dhe mos të reagoj, sepse të gjithë një zëri më kanë këshilluar “…këtu nuk ja vlen, do ta pësosh keq”, ku një gjë e tillë u dëshmua.

Sulme, kërcënime, sharje, etj.., janë vetëm fillimi ndaj atij që dëshiron të bëjë diçka ndryshe. Mos integrimi i shoqërisë në vlerat e vërteta dhe mos pranimi i asaj që quhet ndryshme, shpije deri tek dorëzimi dhe emigrimi. Unë, sot, kam me dhjetra miq nëpër vende të ndryshme të botës me të cilët u rrita dhe u shkollova, mirëpo gjithashtu, kam me qindra miq që ende jetojnë në Malësia dhe shpresojnë që një ditë do të emigrojnë, për një jetë më të qetë dhe më të mirë. Të gjithë ata janë të gatshëm të sakrifikojnë vitet e shumta shkollim, ëndrrat e mëdha, vendin dhe familjen, për të ikur në një rrugë të gjatë dhe pa kthim. Me dhimbje të madhe shoh këtë realitet në të cilin nuk mund të ndikoj, por me frikë të madhe që një ditë mund të bashkëngjitëm edhe unë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!