Maqedonia ndryshon emrin, miratohen me 81 vota amendamentet kushtetuese

Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar pasditen e kësaj të premteje ndryshimet kushtetuese për të mundësuar ndryshimin e emrit të vendit, në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së arritur në Prespë me fqinjin jugor të saj, Greqinë.

Shkupi mbyll kështu betejën e gjatë që i hap rrugën anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Të 81 deputetët e pranishëm në seancën plenare të Kuvendit maqedonas votuan pro amendamenteve kushtetuese. Pjesa tjetër e deputetëve, 29 opozitarë, abstenuan.

Kryeministri Zoran Zaev siguroi 81 vota për të miratuar ndryshimet në Kuvendin me 120 anëtarë. Pro votuan edhe të gjitha partitë shqiptare, edhe ato në opozitë, pas një marrëveshjeje që Zaev arriti me kryetarin e Lëvizjes Besa, pak para se të niste votimi në seancë.

Ndërkohë, jashtë Parlamentit në Shkup kanë nisur protestat e opozitës që janë kundër marrëveshjes. Tashmë “loja” nis në Athinë, ku marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti i Greqisë dhe kryeministri Alexis Tsipras nuk ka një betejë të lehtë.

Emri i ri i Maqedonisë, Bushati: Kontributi i partive shqiptare, faktor vendimtar

Rezultat slika za bushati

 Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, përshëndeti ndryshimet kushtetuese në Maqedoni për të mundësuar ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së arritur në Prespë me fqinjin jugor të saj, Greqinë.
 “Votimi përfundimtar i Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti maqedonas është një demonstrim i qartë i aftësisë politike për të hapur rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Kontributi i partive politike shqiptare edhe njëherë u dëshmua si faktor vendimtar. Urime”, shkroi Bushati në Twitter.

Kosova uron Maqedoninë për ndryshimet kushtetuese Rezultat slika za haradinaj veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve për shtetin fqinj dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, transmeton Koha.net.

“Urimet më të mira për votën historike që kolegët e mi në Shkup sapo kanë dhënë për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës. Ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve për shtetin mik tonin dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm të Maqedonisë por të mbarë rajonit tonë”, ka shkruar Veseli. “Nëpërmjet kësaj vote konsolidohet paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe dëshmohet edhe njëherë se dialogu e mirëkuptimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara. Edhe njëherë vota e bashkëkombësve tanë u dëshmua vendimtare për këtë rrugëtim prandaj merita e mirënjohje të veçantë iu takon deputetëve shqiptarë që e shtynë përpara këtë proces”.

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj thotë se ky është një hap madhor i Maqedonisë në rrugën e integrimeve evropiane.

“Përshëndes votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, për ndërrimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë Veriore, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj. Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqës së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

E edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka uruar Maqedoninë me këtë rast.

“E mirëpres miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga ana e Parlamentit në Shkup sot, që hap rrugën që Republika e Maqedonisë Veriore të bashkohet në NATO dhe të ketë një perspektivë të qartë evropiane”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se ky është një vendim historik për shtetin fqinj.

“Unë e mirëpres guximin që të gjithë udhëheqësit kanë treguar të marrin këtë vendim historik sot. Ne si Kosovë e mirëpresim dhe jemi të lumtur që së shpejti të kemi një anëtar të ri të NATO-s në kufirin tonë”, ka shkruar Pacolli.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!