Ujkaj: Duhet të kushtëzojmë çdo proces të këtij shteti

Prël Ujkaj në pyetjen tonë se si e vlerëson situatën politike në vend, a mendon se Shqiptarët po kalojnë momente të vështira politike ai u shprehë se shqiptarët me të vërtetë po kalojnë momente të vështira.

Kjo për arsye të shumta, ku arsyet më kyçe janë korrupsioni i regjimit të partisë në pushtet në nivel parlamentar, po ashtu edhe i atij lokal momental në komunat ku popullsia Shqiptare përbën shumicë, mes tjerash edhe territor autokton Shqiptarë.
Korrupsioni dukshëm bëhet ndaj disa individëve që në institucione shtetërore dhe ato lokale janë pseudoperfaqësues të popullit të vet, por nuk bëjnë asgjë në interes të popullit por me rëndësi primare e kanë sigurimin personal dhe karrierën e mbushur me poste të larta të kësaj Qeverie që sipas meje pasiqë të ndërrohet pushteti në Mal të Zi do ta ketë vleftën e barabartë me zero, së paku nga ato çfarë ky pushtet u ka ofruar Shqiptarëve si popull autokton, po ashtu edhe pakicë ne nivelin nacional. Por ky nuk është i vetmi lloj i korrupsionit edhe pse është dukshëm më i padrejti. Kemi edhe korrupsionin ndaj shtresës e cila ka vështirësi në krijimin e kushteve të jetesës, e cila për fat të keq votën e vet e shet si të ishte mall që shitet në treg, duke mos menduar për 4 vitet që pasojnë me atë qeverisje, por në të kundërt duke menduar se si t’a sigurojnë një vend pune sa për mbijetesë edhe pse kto janë raste që deri me një masë mund të kuptohen në menyrë që ka edhe forma më të “poshtra” të korrupsionit, si ato me përmasave ta kalojnë nje javë apo edhe më pak (p.sh. nja dy thasë të miellit, balla të sanës,20 metra asfalt, kyçje të instalimeve të ujësjellësit falas etj.) duke mos menduar për më pas. Sepse në këtë pozitë kjo qeverisje i ka sjellë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, duke shfrytëzuar situaten të cilën vetë ata e kanë bërë në vend.

Fakt është se si Shqiptarë në Mal të Zi dhe si pakicë jemi duke u shkelur përditë e më shumë nga kjo qeverisje, e çfarë bën perfaqësuesi ynë në parlament… Jep votëbesimin ndaj të njëjtës Qeveri e cila nuk është tjetër vetëm se një grupim që shfrytëzojnë djersën tonë, taksat që ne i paguajmë që ata “persona” ti mbushin zhiro llogaritë personale, duke ndarë një pjesë të tyre edhe për blerje të votave, për ti kënaqur funkcionerët dhe të përkëdhelurit e tyre që të mund ta mbajnë nën kontroll këtë shtet të vogël siç është vetë Mali i Zi, po ashtu duke e konsideruar atë si shtet privat i 3-4 familjeve.

Si shqiptarë në Mal të Zi, si njohës i politikës e cila bëhet brenda territorit të Malësisë, më habit aftësia e regjimit për të manipuluar me bashkëvendasit e mi, por edhe më shumë më habisin ata persona të cilët pa ndërprerë bëhen kishe përfaqësojnë interesat e Shqiptarëve, kundërshtojnë ashpër deri në pikë të fundit pushtetin aktual në shtetin në të cilin jetojmë, fjala është gjatë fushatave parazgjedhore patjetër, sepse kur pozita që populli ua jep me besimin e vetë, me votën e vetë ata e keqpërdorin duke shkelur çdo parim të politikës së pastër, jo vetëm aq por bëhen faktori kyç i qëndrueshmërisë në pushtet të të njëjtës qeverisje të cilën kishe ata luftonin para fushatave.
Mendoj se ka ardhur deri te një qartësim maksimal i vetëdijes politike tek bashkëvëndasit e mi, apo ashtu vetë shpresoj, se sot më e qartë se kurrë është se kush e mban fjalën dhe se kush vetëm është orator mashtrues i caktuar vetëm që të sigurojë qëndrueshmërinë e pushtetit. Çfarë kanë marrë këta përfaqësues si shpërblim nuk dua të hyj, sepse populli nuk po merr atë që i nevojitet dhe atë çfarë i takon me të drejtë. Përpos fjalëve të zbehta dhe përpjekjeve të fshehin qëllimet e veta të vërteta për një siguri personale, materiale dhe ekzekutive asgjë s’po marrim nga Shqiptarët të cilët kanë mundësinë që të ngrijnë zërin për të kërkuar atë qe neve na takon si popull autokton, fjalën e kam për dy deputetët përfaqësues në Parlament të Malit të Zi, e gjithashtu për partinë Shqiptare që në nivel lokal është ne koalicion me PDS , UDSH-në .
Konkluzioni është se punët sot për sot me këta përfaqësues po bëhen me dyer të mbyllura dhe tregtitë bëhen në dëm të Shqiptarëve.

2. Në pyetjen rreth opinionit të ti për integrimin e Malit të Zi në NATO, a mendon se Shqiptarët duhet të kushtëzojnë përkrahjen në këtë proces, Ujkaj tha se duhet të kushtëzojmë çdo proces të këtij shteti derisa kemi mundësinë

Jam përkrahës i ideologjisë së Unionit Europian, gjithashtu përkrahi integrimet e Malit të Zi ne institucionet ndërkombëtare, të NATO-së poashtu. Por nëse ne si popullsi autoktone, si pakicë në këtë shtet nuk i kemi ende ato që na takojnë, mendoj se duhet të kushtëzojmë çdo proces të këtij shteti derisa kemi mundësinë, deri në momentin që ky shtet ua shpërblen Shqiptarëve kontributin e dhënë për këtë shtet, përkrahjen e popullsisë Shqiptare për pavarësi të Malit të Zi etj. Në atë mënyrë që qeveria nuk na “shpërblen” me burgim të njerëzve të pafajshëm siç bëri në Nëntor 2006, kur të kemi komunën e plotë të Tuzit si gjithë komunat tjera në Mal të Zi, kur të kemi shkollim në gjuhen Shqipe brenda këtij shteti, kur të rregullohet infrastruktura e vendbanimeve të banuara me Shqiptarë e jo të lihet pas dore vetëm për faktin se flasim Shqip, nderkohë që vende tjera me territor më të vogël, fshatra me më pak popullatë kanë infrastrukturë më të mirë se disa vendbanime në Malësi, Ulqin, Plavë etj…

Këto ishin vetëm disa shembuj të shkeljes evidente të të drejtave të Shqiptarëve, prandaj unë personalisht derisa mos të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e pozitës së Shqiptarëve në këtë shtet nuk do përkrahja asnjë proces anëtarësimi të Malit të Zi në institucionet ndërkombëtare.

Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë po mashtrohet rreptë, por mos të lejojmë qe Evropa të mashtrohet, e as kjo pjesa e vërtetë e popullsisë që merr frymë dhe vepron pastër. Por për fat të keq negociatorët që kemi në dispozicion në nivel shtetërorë janë ose të nivelit të ulët, ose nuk e kanë dëshirën, ose kanë interesa personale që situata të qëndrojë e njëjtë.

3. Në pyetjen si e vlerëson statusin e ri të Malësisë, dhe a mendon se kjo lloj vetëqeverisje lokale mund të sjellë ndonjë rezultat pozitiv, ai u shprehë se e vetmja zgjidhje adekuate është Komuna e Plotë, as “super-komunë” dhe as “mega-komunë”.

Siç e përshkruan një mik imi, që nuk po i jap emër kjo është një “Super-Komunë” vetëm se krahët i mungojnë, natyrisht se jam ironik kur e them këtë. Kjo lloj komune është sa për ti hedhur pluhur syve popullsisë e cila tash e sa mot kërkon komunën e plotë si gjitha Komunat tjera në Mal të Zi, as më pak e as më shumë!

Kjo komunë është një moderim i Komunës Urbane të kaluar, e më së shumti nga Komuna e kaluar ka dallim emri i saj, sepse kjo gjithçka mund të jetë por Komunë nuk është kur akoma si në komunën e vjetër për fatin tonë vendos Podgorica.

Unë dhe kolegët e mi partiak në LD në MZ të degës së Malësisë, kemi thënë dhe i qëndrojmë besnik kërkesës për Komunë të Plotë, sepse ne kurrë idealet tona nuk i kemi shkelur dhe as nuk do të shkelim përmbi to. E ata që mundohen tu hedhin pluhur syve popullsisë dhe elektoratit me emërime të reja dhe me çfarëdo varianti tjetër duhet ta dinë se ne dhe përkrahësit tanë nuk do të ndalen derisa të përmbushin qëllimin për të cilin mundohemi me vite ta fitojmë, e ajo është Komuna e Plotë.

Komuna e Malësisë është komuna e dytë me rënd më e madhe sipas territorit në nivelin Republikan, ka popullsi dhe historik të qeverisjes më shumë se shumë komuna tjera në Mal të Zi, më shumë edhe se Gucia dhe Petnjica, prandaj arsyen e mosdhënies së komunës që na takon duhet ta studiojmë duke i gjetur qëllimet e fshehta të Regjimit të Qeverisë në krye me M.Gjukanoviq.
Po ta humbnin Malësinë si komunë e kryeqytetit, do ti humbnin poashtu edhe votat që popullsia e Malësisë i jep për pushtetin për komunë të Podgoricës e të gjithë e dimë statistikën e votave që PDS i merr në Zgjedhjet lokale për Podgoricë nga popullsia jonë, prandaj një nga ato arsye është edhe kjo, sepse mundësitë janë të mëdha që në të kundërt do të humbnin edhe kryeqytetin. Arsyeja tjetër ndër arsyet e shumta është patjetër edhe pasuria që territori ynë i pasur përmban dhe pasuritë që rrjedhin nga ato, e pse ato të kontrollohen e shfrytëzohen nga një qytet tjetër e jo për mirëqenie të Malësise? Përgjigjet të gjitha i keni në tekstin tim…

Konkluzioni është se e vetmja zgjidhje adekuate është Komuna e Plotë, as “super-komunë” dhe as “mega-komunë”.

4. Ujkaj në pyetjen tonë si e vlerëson përkrahjen e deputetëve Shqiptar ndaj qeverisë, a pretë ndonjë rezultat pozitiv nga kjo, apo mendon se nuk do të ndryshojë asnjë gjë, ai tha se përfitim nuk mund të ketë për popullin Shqiptar nga kjo përkrahje.

Përgjigjen gjysmake për votëbesimin që deputetët Shqiptarë ia dhanë Qeverisë aktuale dhe mendimin tim poashtu mund ta gjeni në pergjigjen për pyetjen e parë.

Mungojnë edhe 5-6 muaj deri te zgjedhjet e reja, përfitim nuk mund të ketë për popullin Shqiptar nga kjo përkrahje, mund të jetë vetë përfitim në nivel personal dhe të një rrethi të ngushtë të dy deputetëve ne fjalë.

Personat në fjalë kanë qenë vendimtar për mohimin e të drejtës të gjithë qytetarëve që me vota të lira dhe demokratike të zgjedhin Qeverinë e vet, sepse ato 2 vota u treguan vendimtare. Arsyetimet që deputetët në fjalë i dhanë sipas meje janë mjaft qesharake dhe tregojnë në të njëjtën kohë se fjalët që i thonë para zgjedhjeve i harrojnë sapo ulen në një post dhe ulëse komode.

Populli duhet të ndërgjegjësohet dhe të jetë largpamës kur zgjedh përfaqësuesit e vet, sepse me këtë tempo nuk do ecim asgjëkundi.

Ky votëbesim le të jetë shkollë për elektoratin në të ardhmen.

5.Në pyetjen sipas vlerësimit të ti, cili duhet të jetë orjentimi i partive Shqiptare, të jenë pjesë e çdo qeverie, të jenë opozitë apo në mes të pozitës dhe opozitës? Nga cili pozicion mund të arrihen më së miri objektivat politike, Ujkaj tha se orjentimi i partive Shqiptare duhet të jetë përpjekja e herëpashershme për arritje të qëllimeve të veta të mirëfillta, përmbajtja e premtimeve parazgjedhore dhe një plan strategjik për plotësimin e kërkesave dhe nevojave të popullsisë Shqiptare në Mal të Zi.

Kjo pozitë është në funksion që 25 vite, e gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka avancim përsa i përket popullit Shqiptar, e vetmja gjë që fitojmë janë përpjekjet e diskriminimit territorial, mohimi i të drejtës për tu shkolluar në gjuhën Shqipe në territoret tona, kam fjalën për Shkollën e Lartë, mungesa e institucioneve në vendet e banuara me Shqiptarë, kur them institucione them institucione që duhet ti ketë komuna e Malësisë. Nder këto ka edhe shumë të drejta të tjera që me ligj në çdo shtet demokratik do të na takonin, por ja se me këtë qeveri edhe pse popull autokton po na mohohen.

Me këtë pozitë dhe cilëndo tjetër unë jam opozitë në nivel parlamentar deri në përmbushjen e kërkesave të lartpërmendura. Deri në mundësimin e vetëqeverisjes lokale dhe deri në momentin kur Shteti i Malit të Zi të meritojë të quhet një shtet Demokratik.

(Prelë Ujkaj, 25 vjeçar, student para përfundimit i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, këshilltar në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit për listën “Për ty Malësi” të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi. Po ashtu themelues dhe drejtor i një Biznesi për Telemarketing në gjuhë të huaja.)

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!