Ambasadori Hysa takohet me bashkësinë fetare dhe partitë shqiptare në Mal të Zi

Derisa në Mal të Zi është duke vluar debati për Ligjin e ri për liritë fetare, ku kisha ortodokse serbe është duke e kundërshtuar përmes protestave, ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa ka mbledhur klerikët fetar shqiptar.

Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa ka pritur sot në takim Arqipeshkvinë e Tivarit, Rrok Gjonlleshaj dhe kryeimamin e Tivarit, Muedin Milaimi.

Ambasadori Hysa ka theksuar se takimi është një vazhdimësi e bisedimeve me komunitetin fetar shqiptar në Mal të Zi, i cili si në çdo treve shqiptare është i përbashkuar rreth vlerave kombëtare.

“Bashkëjetesa dhe harmonia fetare është në traditën tonë kombëtare. Kjo e bën popullin tonë të veçantë dhe këto vlera duhet t’i ruajmë dhe promovojmë”, ka thënë Hysa, pas takimit.

Nga ana tjetër, arqipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj ka theksuar se “Jemi në shtëpinë tonë dhe jemi vëllezër të një gjaku”.

Edhe kryeimami i Tivarit, Muedin Milaimi ka thënë se bashkimi është virtyt i shqiptarëve. Gjatë ditës, ambasadori Hysa ka mbledhur edhe përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare në Mal të Zi në një drekë pune.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, zëvendësministri i Arsimit, kryetari i komunës së Tuzit dhe klerikët fetarë shqiptarë.

Në Mal të Zi po zhvillohet një debat e madhe për ligjin e ri për lirinë fetare, ku Kisha Ortodokse serbe refuzon ligjin, përmes protestave të dhunshme. Këto protesta po ndihmohen edhe nga Serbia, e cila ka dalë hapur kundër këtij ligji.

/Malësia.ME/


Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!