Yv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq mori pjesë në panelin “Dialogu i Pajtimit në Ballkan” në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya së bashkë me përfaqësues të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përpos Abazoviqit në panel morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gervala-Schwartz; ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.
Zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në fjalën e tij bëri thirrje për lehtësim të procesit integrues në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh se qytetarët e Malit të Zi, tani ma situatën në Ukrainë e kanë kuptuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO, duke theksuar në mënyrë të ngjashme e shohin edhe procesin integrues në BE.
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në fjalën e tij në panel u shpreh se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) është para së gjithash një çështje sigurie, duke theksuar se ngecja e procesit eurointegrues po ngjall skepticizëm në rajon.
“Njerëzit po pyesin ‘a është BE serioze’, sa i përket zgjerimit”, u shpreh Osmani, duke parë zhvillimet në lidhje me procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, respektivisht bllokadën bullgare për kontestin me Maqedoninë e Veriut.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor, pavarësisht deficiteve dhe dobësive të tij demokratike, ka një rol të veçantë në dhe për Evropën. Integrimi i plotë është në interes të drejtpërdrejtë të politikës, sigurisë dhe ekonomisë së BE-së, si investim gjeostrategjik drejt një rajoni të qëndrueshëm dhe prosperues në kuadër të Evropës kontinentale”, shkroi më pas kryediplomati Osmani në rrjetet sociale.
“Ky rajon është zemra e Evropës, i rrethuar nga shtetet anëtare të BE-së dhe nuk duhet lejuar të jetë një pikë e ndejshme e kontinentit, dhe BE-ja nuk duhet ta trajtojë më procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor si një çështje të hapur të papërfunduar”, shtoi ai.
Përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, bëri thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin angazhimet e tyre, gjithashtu duke rikujtuar se është i vetëdijshëm që procesi i integrimit ka zgjatur më shumë se sa duhet.
Kryediplomatja e Shqipërisë, Olta Xhaçka, foli rreth rrezikut të ndikimit të palëve të treta në Ballkanit Perëndimor, duke theksuar nga ana tjetër edhe ngadalësimin e procesit eurointegrues të vendeve të rajonit.
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gervala-Schwartz, u shpreh se ndjehen të kërcënuar nga lufta në Ukrainë. Ajo tha se Ballkani Perëndimor duhet të përafrohet më shumë me BE-në, duke theksuar edhe nevojën që 5 shtetet anëtare të BE-së të njohin Republikën e Kosovës.
Ndryshe, siç u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, mbi një e treta e botës po përfaqësohet në Forumin e Diplomacisë në Antalya, duke shtuar se ky event ka mbledhur pjesëmarrës nga 75 vende, duke përfshirë 17 krerë shtetesh, 80 ministra dhe 39 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.