Referendumi i PS: Rikonfirmohet mandati Ramës – Kosovë: Veseli s’ka rival në PDK

Në Shqipëri, socialistët rikonfirmuan mandatin e kryetarit të tyre Edi Rama.

“Plot 84% e anëtarësisë së partisë ushtruan të drejtën e votës në një proces transparent dhe të monitoruar nga media, si dhe kushdo i interesuar për të. Mbi 95% e anëtarësisë votoi për ta konsideruar të rinovuar automatikisht mandatin e kryetarit të partisë, kur partia fiton zgjedhjet dhe është në qeveri”, tha ministri Blendi Klosi.

Sipas rezultatit zyrtar, bie në sy se rezultati më i lartë i mbështetjes është në Qarkun e Shkodrës me 98 për qind, ndërsa Tirana renditet e fundit me 93 për qind. Blendi Klosi e përshkroi procesin si një ushtrim të ri demokratik në Partinë Socialiste.

Kadri Veseli s’ka rival në PDK

Partia Demokratike e Kosovës po i bën përgatitjet intensive për mbajtjen e konventës së jashtëzakonshme më 7 maj.

Në këtë konventë pritet të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së, pas 17 vjet të udhëheqjes nga Hashim Thaçi, i cili ka dhënë dorëheqje pas zgjedhjes president i Kosovës. Kadri Veseli, aktualisht ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së, pritet që të zgjidhet në krye të PDK-së, pa probleme dhe pa kundërkandidat.

Në PDK thonë se ende nuk kanë asnjë kërkesë nga ndonjë kandidat që ka shfaqur ambiciet për të qenë kryetar i kësaj partie. Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, thotë për gazetën “Zëri” se ka dhjetë ditë që kanë filluar përgatitjet për mbajtjen e konventës, duke shtuar intensitetin e punës. Ai thekson se tash janë duke e bërë një lloj platforme të punës që do të miratohet në konventë dhe do të vazhdohet me punën tjetër. “Konventa nuk do të jetë vetëm konventë e jashtëzakonshme zgjedhore ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë, por do të ketë edhe një karakter pune”, ka thënë Musmurati.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!