Zgjedhjet në Serbi: Shqiptarët të harruar nga Tirana dhe Prishtina

Adriatik KelmendiPrishtina dhe Tirana urgjentisht këto ditë duhet t’i kthejnë sytë nga shqiptarët e Luginës, mbi të gjitha, në këto ditë parazgjedhore. Ata kanë nevojë për udhëzime, mbështetje, e mbi të gjitha – zemër. T’u tregohet se nuk do të lejohet të ndihen si jetimë dhe se s’do t’u bjerë në mend politikanëve në Kosovë e Shqipëri vetëm kur janë vetë në fushata parazgjedhore.

KEMI DËGJUAR të flitet shkarazi në Kosovë se në Serbi do të ketë zgjedhje në prill. Në Shqipëri duket se nuk po flitet fare.

Në Prishtinë kryesisht është folur lidhur me mbajtjen ose jo të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale (sic!) edhe brenda territorit të Kosovës, kurse në Tiranë kjo trajtohet si një lajm për Azerbajxhanin.

Megjithatë, në gjithë këtë mes ka një absurditet që po përvidhet. Ka një popullsi shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila sërish po ndodhet përballë një vendimi të vështirë dhe për të cilët s’po e çajnë kokën fare elitat politike në dy kryeqendrat më të mëdha shqiptare.

Të zënë me kurthimet e brendshme politike dhe luftëra për ardhje ose ruajtje të pushtetit – njëjtë si me shumë çështje të tjera të rëndësishme për qytetarët – subjektet politike nuk janë duke e trajtuar fare seriozisht mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.
Ndonëse na ishte thënë se pas Marrëveshjes së Parë të Normalizimit të Marrëdhënieve nuk do të mbahen më zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës, tash ende nuk kemi asnjë qartësim nga Qeveria se si do të veprohet në këtë aspekt.

Për më tepër, nuk po i shohim as subjektet opozitare të ngrenë zërin për këtë shkelje eventuale të marrëveshjes.

NË ANËN TJETËR, jetimë edhe kësaj radhe mbeten shqiptarët e Luginës së Preshevës. Duke mos pasur një strategji ose mbështetje nga Prishtina, e aq më pak nga Tirana, subjektet politike atje janë të ndara në qëndrimin nëse ia vlen fare të merret pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Ky hamendësim dhe kjo mosvëmendje nga “shtetet amë” vetëm sa mund ta përkeqësojnë gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Për ta kuptuar këtë mbase duhet analizuar pak edhe kontekstin e përgjithshëm të forcave politike në Serbi. Për dallim prej zgjedhjeve të fundit parlamentare, kur për herë të parë në Parlamentin serb nuk ia dolën të kalonin pragun zgjedhor asnjëra nga forcat ultranacionaliste dhe antievropiane, kësaj radhe duket se situata do të ndryshojë. Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se në zgjedhjet e 24 prillit mund të fitojnë të drejtën e përfaqësimit në Kuvend edhe Partia Radikale Serbe e Sheshelit, si dhe koalicioni Partia Demokratike Serbe ”Dveri”.

Rikthimi në Kuvend i ekstremit nacionalist dhe antievropian vetëm sa mund t’i sigurojë edhe më shumë mbështetje pa kushte të veçanta Aleksandër Vuçiqit dhe partisë së tij, e cila edhe kësaj radhe pritet të fitojë rreth 50 për qind të votave dhe të formojë qeverinë.

Në një kontekst të këtillë, bojkoti eventual shqiptar as që mund të pritet të ketë ndonjë efekt presioni ose faktorizimi karshi Bashkimit Evropian e Washingtonit, gjegjësisht Beogradit. Përkundrazi, shqiptarët nëse do të lëshojnë edhe rastin që të përfaqësohen në Kuvend e edhe të mos dalin mjaftueshëm për të votuar për zgjedhjet lokale, vetëm sa rrezikojnë të margjinalizohen edhe më shumë.

Kundrejt rritjes së popullaritetit të partive radikale nacionaliste, Vuçiqi – i cili tashmë joparimisht po cilësohet si i moderuar nga Brukseli e Washingtoni – nuk pritet t’i nënshtrohet ndonjë trysnie ndërkombëtare për t’iu siguruar të drejtat e merituara shqiptarëve. Kjo, aq më shumë, teksa shihet se me çështjen e shqiptarëve në Luginë nuk e kanë ndërmend të merren fare politikanët në Prishtinë e Tiranë.

Shqiptarët e Luginës, siç u tha, janë lënë si jetimë, të vendosin vetë, me mundësinë edhe që të gabojnë me vendimet që do t’i marrin.

NJË ÇËSHTJE tjetër shumë e rëndësishme, por tash e 17 vjet jashtë fokusit të përgjithshëm publik, është se sa qytetarë shqiptarë të komunave të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës jetojnë në Kosovë.
Llogaritet se janë dhjetë mijë, ose njëzet mijë, ose tridhjetë mijë… Sa? Shifër zyrtare nuk ka.

Shumë shqiptarë të Luginës kanë dalë në Perëndim ose kanë ardhur në Kosovë gjatë viteve ’90. Një numër shumë i madh pastaj kanë lëvizur drejt Kosovës sidomos gjatë luftës së UÇPMB-së. Teksa një pjesë sërish ka vazhduar ta lëshojë Luginën në vitet në vazhdim qoftë drejt Kosovës, qoftë drejt shteteve të Perëndimit.
Mirëpo, del se shumica e tyre që në këta 20 vjetët e fundit kanë ardhur në Kosovë nuk janë fare të regjistruar. Madje një pjesë bukur e madhe besohet të mos kenë as dokumente të Kosovës e as të Serbisë. Qytetarë pezull.

Për shembull, ata s’mund të votojnë as në Kosovë e as në Serbi.
Kurse ne shohim se sa interesohet Beogradi për të drejtat e votimit të serbëve kosovarë, jemi dëshmitarë të një injorimi të skajshëm që u bëhet në këtë dhe shumë aspekte të tjera shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kosovë.

Prishtina dhe Tirana urgjentisht këto ditë duhet t’i kthejnë sytë nga shqiptarët e Luginës, mbi të gjitha, në këto ditë parazgjedhore.
Ata kanë nevojë për udhëzime, mbështetje, e mbi të gjitha – zemër.

T’u tregohet se nuk do të lejohet të ndihen si jetimë dhe se s’do t’u bjerë në mend politikanëve në Kosovë e Shqipëri vetëm kur janë vetë në fushata parazgjedhore.

Adriatik Kelmendi

Shperndaje